Ja 47 firmëtarët e Besëlidhjes së Prizrenit

Besëlidhja e Prizrenit u mblodh më 5 -18 qershor 1878, një javë përpara Kongresit të Berlinit, për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, që u vendos në Shën Stefan. Organizatorët thirrën delegatë me telegrame nga pothuaj gjithë qendrat e Shqipërisë. Ata ftuan disa diplomatë të huaj për ta ndjekur takimin, por nuk thirrën përfaqësues të shqiptarëve katolikë, për të gënjyer Portën e Lartë se ajo ishte një çështje muslimane, pra fetare. Paria e Shqipërisë, delegatët e qyteteve dhe krahinave, u mblodhën më 10 qershor në Medrese të Mehmet Pashës, e cila kishte një qoshk të madh e të bukur dhe përpara kishte një fushë të hijshme, të qarkuar me plepa. Rrugët e Prizrenit, që të çonin te medreseja, ishin plot njerëz që brohorisnin për delegatët, të gjithë të veshur me kostumet e krahinave nga vinin. Mbledhja e parë e Besëlidhjes u drejtua nga kryetari Iljaz pashë Dibra. Mbledhja zgjodhi 3 komisione: për punët e jashtme Abdyl Frashëri, Shaban Peja, Galip Shkupi, Asaf Manastiri; për punët e brendshme Haxhi Shabani nga Prizreni, Qorr Abdyl Efendiu – muderriz i Shkupit, Mahmut Qypërlia dhe Esat pashë Tetova; komisioni i financës Sulejman Vokshi, Zija Prishtina, Shefik Gillani. Disa nga delegatët më me kulturë mbajtën fjalime të zjarta. “Ittifaku” – Lidhja kishte moton: Të luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut. Para interesit të Atdheut të zhduken interesat private”. Delegatët vendosën të linin mënjanë gjakmarrjen dhe u lidh Besa. Më 15 qershor Lidhja i dërgoi telegram Portës së Lartë ku e njoftonte se shqiptarët nuk do t’i nënshtroheshin sundimit ruso – bullgar dhe as serbo – malazez, por qeveria duhej t’i mbronte në Kongresin e Berlinit. Fuqitë ushtarake të Turqisë u mbyllën nëpër kazerma, sepse u urdhëruan prej Stambolli që të mos i ndërhynin Lidhjes në punët e saj.

Mbledhja miratoi së pari statutin e Lidhjes, mbi detyrat e saj në qendër dhe në krahina dhe mbi ushtrinë e saj. Vendimi i parë u dha më 18 qershor me 16 nene: “1. Lidhja jonë u krijua me qëllim që, nuk njeh asnjë qeveri tjetër përveç asaj të perandorisë otomane, dhe të mbrojë integritetin tokësor, duke përdorur të gjithë mjetet” – theksoi Lidhja, duke shtuar se qëlllimi i lartë i saj ishte të mbronte të drejtat e Sulltanit Sovran. “Ne do t’i quajmë armiq të kombit dhe të atdheut të gjithë ata që që na kundërshtojnë dhe na prishin qetësinë” – shtoi Lidhja në dokumentin e saj themelor. Ajo vendosi të mbronte jetën, pasurinë dhe nderin edhe të atyre, që nuk ishin muhamedanë, por ishin besnikë, njëlloj me të tjerët, bazuar në ligjin e lartë fetar (Sheriatit). Lidhja vendosi të mbledhë dhe të rregullojë të ardhura nga krahinat, dhe pohoi se do të pranonte fuqitë ndihmëse të ardhura së jashtmi. “Duke patur parasysh gjendjen e Ballkanit, nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që të marshojnë brenda tokave tona ushtri të huaja. Nuk do ta njohim Bullgarinë, edhe Serbia – nëse nuk na i dorëzon me të mirë tokat, që na ka shkel, do të dërgojmë fuqi kundër saj për me i marrë me pushkë. Po kështu edhe kundër Malit të Zi” – vendosi Lidhja. Ajo shtoi se nuk do ta lejonte qeverinë në asnjë mënyrë t’i ndërhynte në punët e veta, por as Lidhja nuk do t’i trazohej qeverisë në administratë. Në bazë të Besës së lidhur prej përfaqësuesve të Shqipërisë së Veriut, asaj të Jugut dhe të Bosnjes, Prizreni u zgjodh kryeqytet i Lidhjes.

Dy dokumentat e miratuar të Besës së Madhe, KAALIMAT dhe KARARNAME, të nxjerra prej konsullatës austro-hungareze në Shkodër, u firmuan nga 47 delegatë, të gjithë nga klasa e lartë dhe klerikë; Iljaz Pashë Dibra, Mehmet Sadik Pashë Hoxholli, Ahmet Sabri Karahasani, Ismail Ethem, Bajram (delegatët e Dibrës), Abdulla Pashë Dreni, një nënshkrim që nuk lexohet, Mehmet Kahraman, Mehmet Shaqir (delegatët e Gjakovës), Riza Fuad, Mehmet Pasha, Hasan Pashë Dërralla, Sheh Mustafai, Sadik, Mehmet (delegatët e Tetovës), Ali Tefik, Ibrahim Ethem Dudaksëzi (delegatët e Manastirit), Mehmet Reshit Beu (delegat i Ohrit), Mehmet Zija, Mehmet (delegatët e Prishtinës), Abdurrahman Salih, Mehmet Xhelaludin, Jashar Beu (delegatët e Shkupit, një nënshkrim që nuk lexohet, Shaban Hamdi (delegatët e Pejës), Ali, Osman Qamil, Ebu-Beqir (delegatët e Mitrovicës), Mustafa, një nënshkrim i palexueshëm, (delegatët e Senicës), Osman (i Qypërlis) Abdyl Alim, Shaban, (delegatët e Prizrenit), një nënshkrim që nuk lexohet, Abdurrahman Hilmi, Kadri (delegatët e Vuçiternit), Mehmet Nureddin (delegat i Tashllixhes), Salih, Mehmet Rashid (delegatë të Gjilanit), Mehmet Sherif, (delegat i Lumës), Haxhi Zelika (delegat i Gostivarit), një nënshkrim që nuk lexohet, (delegat i Gucisë), Ali, Ejup (delegatët e Jenipazarit). Nga fundi i qershorit asaj iu bashkuan përfaqësues nga Shkodra, një prej Podgorice, 4 bajraktarë nga Malësia e Madhe, delegatë nga Hoti, Gruda, Kastrati, Kelmendi, Rrjolli, Shkreli, Shllaku, Temali, Suma, Shala, Shoshi si dhe 3 të tjerë nga Mirdita.

Besëlidhjes iu bashkuan edhe përfaqësuesit e Elbasanit, të cilët morën detyrat e ndërlidhjes mes degëve të veriut dhe jugut. Deri në 10 nëntor 1878 Besëlidhja u nënshkrua nga gjithë viset e Shqipërisë. Lidhja veproi si një qeveri kombëtare, rregullonte krahinat dhe qytetet me administratë, dhe mblidhte luftëtarë dhe taksa. Kërkesa kryesore e Lidhjes ishte që paprekshmëria e tokave shqiptare të mbrohej nga vetë shqiptarët. Fuqia e saj përbëhej prej 5 ushtrive atyre të Shkodrës, Shkupit, Kosovës, Jenipazarit dhe Hercegovinës. Vendimet dhe urdhërat ushtarake i përpiloi prefekti turk i Prizrenit, Qamil beu, sipas pikëpamjes turke, për t’i dhënë ngjyrën e një bashkimi të muhamedanëve të Ballkanit për të mbrojtur të drejtat e Sulltanit. Ushtria e Lidhjes kishte 180 mijë burra me 38 batalione (142 mijë këmbësorë dhe 38 mijë kalorës).

Latest articles

Related articles