“Kosova mbrohet me Facebook, aq sa mbrojti Berisha shkëmbimin e territoreve me intervista televizive”


Nga Sebastian Zonja

Analistët amerikanë për rajonin e dinë se më kë është më e lidhur Serbia, por Departamenti i Shtetit është naiv?!!!
Analistët amerikanë të rajonit e dinë potencialin destabilizues të Serbisë, por Pentagoni dhe NATO nuk e di?!!
Analistët shqiptarë e dinë se kush është dora ruse në Ballkan, por Berlini dhe Uashingtoni nuk e dinë?
Ne po themi gjëra që i dinë të gjithë, jo për të treguar faqe botës ndonjë gjë të re, por për të nxitur retorikë nacionaliste. E trishtë është se kjo retorikë, këtë radhë, ndryshe nga herët e tjera, është kundër SHBA-së dhe BE-së. Të rralla janë analizat serioze, pasi në shumicën e rasteve janë veç moralizime. Në krahun tonë, ne po e përdorim për të legjitimuar vajtjen në veri, kurse serbi duke sjellë ushtrinë në kufi. Në të dyja rastet po përdoret për konsum të brendshëm. Pyetja është se ç’plan diplomatik kemi, përtej konsumit të brendshëm të ligjërimeve moraliste dhe patriotike?
Loja dhe diplomacia me aktorët politikë bëhet në tavolina diskutimesh dhe negociatash, jo nëpër Twittera dhe medie sociale. Ka shumë që mendojnë se me statuse Facebooku dhe artikuj gazetash mund të ndërrojnë linjat gjeopolitike në Ballkan.
Përpara disa kohësh kisha një debat me një deputet opozitar që mendonte se Sali Berisha me Facebookun e tij dhe daljet televizive kishte mbrojtur Kosovën nga shkëmbimi i territoreve. Faktikisht, shkëmbimi i territoreve pamundësohej vetëm në Berlin, Paris apo Uashington. Dhe ishte Berlini ai që e pamundësoi në fund. Ka me mijëra shqiptarë që mendojnë si ky deputeti ynë, se diplomacia bëhet jo nëpër tavolina, por në intervista televizive dhe statuse.
Kryeministri Rama, me orientim të BE-së dhe amerikanëve, hodhi në tavolinë një propozim për Asosacionin që mund ta sillte nesër një OJQ franceze apo gjermane. Akuzat për Edi Ramën janë të shumta, por, në këtë rast, le të mos e humbim fokusin – për sa kohë hodhëm poshtë propozimin serb për Asosacionin, a është ky kundërpropozimi euratlantik për t’i ulur palët në dialog?
Retorika, shpeshherë e dëmshme, e shumë militantëve, nuk na çon kund. Duhen hapa konkretë. Logjika me heronj e tradhtarë duhet tejkaluar. Në tavolina bisedimesh ka logjikë të ftohtë për të përfituar sa më shumë.
Fatkeqësisht, Serbia na ka vënë me shpatulla pas muri. Amerikanët dhe evropianët s’po bëjnë as arbitrin, por po thonë se do ju fillojnë sanksionet ndaj Kosovës në kuadër të moszbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Cila është rrugëdalja?
Rama tradhtar, Evropa kurvë dhe amerikanët s’kanë moral … janë sentenca për të kaluar radhën që nuk na çojnë kund.

Latest articles

Related articles