Rama celebron arritjet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është aeroporti i vetëm në Europë që ka tejkaluar 100% të rikuperimit pas pandemisë.

Gjatë inagurimit të kompanisë “Ryanair” në aeroportin e Rinasit, Kryeministri solli në vëmendje të dhënat e Aviacionit Europian që e rendisin aeroportin e Rinasit të parin në Europë referuar këtij treguesi.

“Shifra e vitit të shkuar ishte 123% plus. Aeroporti i dytë ishte ai i Stambollit me 92% dhe pastaj vinin të tjerët”, tha Rama.

Po ashtu Rama, solli në vëmendje faktin se vjet në aeroportin e Rinasit janë përpunuar 5.2 milionë pasagjerë, një shifër e paimagjinueshme deri pak vite më parë.

“Këtë vit projeksioni ynë është 6.5 milionë pasagjerë, ndërsa ambicia e kompanisë është të prekë shifrën e 7 milionëve. 5.2 milionë pasagjerë të vitit të shkuar ishte objektiv i vitit 2027 dhe u arrit vjet”, tha Rama.

Ndaj, kryeministri shprehu bindjen se objektivi i 10 milionë turistëve do të arrihet brenda një kohe shumë të shkurtër dhe jo në vitin 2030.

“Futja në fushë edhe e Aeroportit të Vlorës do të rrisë në mënyrë eksponenciale kapacitetin turistik të Shqipërisë, ekonominë dhe do të forcojë edhe më shumë imazhin e një destinacioni turistik global, gjë që do të thotë shumë më tepër punësim, lëvizje në aspektin e tregtisë e prodhimit në shërbim të turizmit”, tha Rama.

Latest articles

Related articles