‘Lumi i gjallë’ i Jakov Xoxës në 100 vjetorin e autorit – Studim i Virion Graçit

Nga Virion Graçi

(I).Shikime krahasuese.
Mesi i viteve ’60 kur u botua Lumi i vdekur e gjen romanin shqiptar të kohës me disa autorë që dëshmonin talent, gjykuar edhe me standartet e tashme artistike. Deri në v.1990 “Lumi i vdekur”, sikurse dhe “Ata nuk ishin vetëm” i S. Spasses, e ndonjë tjetër, u është shërbyer shkollarëve dhe lexuesëve i shoqëruar me aparatin orientues zyrtar; rëndom është lënë në rend të dytë vlera e tij estetiko-letrare; është përdorur e referuar si provë e gjallë e cilësive morale të pronarëve të mëdhej të tokave në vitet ‘30, si dëshmi e letrarizuar e pangopësisë së tyre, si pamje autentike e prapambjetjes, padrejtësive dhe karakterit antipopullor (siç thuhej) të regjimit shtetëror të kohës.
Në pjesën tjetër të jetës ky roman, në periudhën pluralizmit politik e kulturor, në kushtet e lirive të shprehjes e të interpretimeve të gjithfarëshme letraro-gjuhësore, ka qëndruar sërish në vëmendjen e kritikës, të studiuesëve e të publikut, nuk është përmendur asesi te librat e refuzuar a atakuar, qoftë dhe për arsye jo letrare, sikurse ka ndodhur me mjaft vepra të tjera të asaj periudhe. Duket se lexim/përdorimi tendencioz i periudhës moniste i ka lënë vendin kureshtisë jo paragjykuese, leximit të zakonshëm, pra është parë e shijuar si letërsi fiksionale. “Lumi i vdekur” është po ai; publiku, shijet, pritshmëritë kanë ndryshuar, por marrdhënia mes tyre mbetet miqësore, e pa cënuar. Duke vrejtur me kënaqësi ‘mbijetesën’ e Lumit të J.Xoxes, e shohim tipologjinë tematike të romanit në disa raste të letërsive të tjera, në vepra të shquara: “Fshatarët”, Honore de Balzak, (1844); “Kasollja”, Vinsente Blasco Ibanes, (1919), “Vilet e zemërimit”, Xhon Stajnbek, (1939), “Mehmet imcaku”, Jashar Qemal, (1955). Të katër romanet, duhet të kenë qenë të njohura për autorin tonë, por nuk është fjala te ndikimet e mundëshme; shikimi krahasimtar ka për dëshirë qasjen e autorëve të gjuhëve e kulturave të ndryshme ndaj të njëjtit topik, për më tepër – për të hetuar tendenciozitetin ose objektivitetin e J. Xoxes në rrëfimin e tij për gjendjen fshatare në zonën tipike bujqësore të Shqipërisë së viteve ‘30.
Sikurse edhe Lumi i J.Xoxes, “Fshatarët”, Honore de Balzak; “Kasollja”, Vinsente Blasco Ibanes, “Vilet e zemërimit”, Xhon Stajnbek, “Mehmet imcaku”, Jashar Qemal kanë në fokus jetën në fshat; jo fund-javën në fshat, por jetesën e bujkut, mbijetesën njerëzore nëpërmjet tokës bujqësore, nëpërmjet kultivimit të saj; romanet e sipërpërmendur kanë në qendër marrdhëniet agrare në prodhim, në epoka të ndryshme. Toka, sinonim i binomit jetë-vdekje, si emërues i përbashkët për personazhet-fshatarë të këtyre romaneve është më e rëndësishme se çdo anëtar familjeje; vetë lindjet e fëmijëve janë të dëshiruara si krahë pune shtesë, në të ardhmen. Krahas shenjtërisë së pa zvendësueshme të tokës së bukës si e vetmja mundësi për t’u mbajtur gjallë, fshatarët-personazhe kanë të përbashkët luftën përkatëse, marrdhëniet ligjore, pronësore; jo më kot, Balzak, në “Fshatarët”, kapitullin parë të pjesës të parë e emëron me aforizmën vetjake, “Kush ka tokën, ka dhe luftën”. Në Europë e ShBA, në Anadollin e Jashar Qemalit, sikurse në Myzeqe – e njëjta problematikë, e njëjta gjendje mjerane e buqëve – qenie të dorës së fundit për nga edukimi, për nga pretendimet, për nga vizioni për botën/jetën. Balzak ia kushton një faqe të folmes me të meta shqiptimi në çdo fjalë të fshatarëve duke pohuar edhe nëpërmjet diskursit të hapur autorial natyrën gati primitive të bujkut francez. Mësuesi te “Kasollja”, i thotë Batistes në funeralin e të birit se bujqit këtu janë në gjendje primitive-kafshërore, por edukimi, shkollimi, nëse ndodh, do t’i bënte njerëz. Po kështu, në kushte të mjera formimi njerëzor janë dhe personazhet e romaneve të tjerë.
Tjetër simetri për faktorët e luftës e të paqes për tokën e bukës, romanet kanë konfliktin midis vetë fshatarëve, midis fshatarëve vendas, në marrdhënie më të herëshme kontratash me pronarët/aristokracinë fshatare dhe fshatarëve të ardhur së voni; pra, vendasit kundër muhaxhirëve. Ky konflikt, nuk ka të bëjë me cene a përcaktime psikologjke të palëve, as me shtegëtime të mundëshme të fabulës romanore nga një autor te tjetri, pavarësisht ngjashmërive; është konflikt i pashmangshëm sepse paraqitet si konflikt i natyrës së marrdhënieve në prodhim; muhaxhirët, si ata të Myzeqesë, grizarakët mësymës në Trokaths, si ata të Francës rurale të çerekut të dytë të shek.XIX, si anëtarët e familjes së Batistes, në krahasim me vendasit e plogësht, pijanecët vegjetues të huertas, në “Kasollja”, edhe Xhoudsat amerikanë – mësyrë në tokat e të tjerëve fushave e luginave të Kalifornisë, paraqiten si forcë e re, me vitalitet në mënyrën e organizimit, në ritmin e cilësinë e punës. E nënvizojmë këtë ngjashmëri për shkak të bindjes se konfliktet në secilat nga historitë romanore, kontradiktat prej të cilave rrjedhin ngjarjet, veprojnë, zhvillohen e afirmohen personazhet, burojnë jo aq nga përplasja midis dy klasave antagoniste, siç do të thoshte me ngut dialektika historike marksiste, jo nga tendencioziteti i autorëve për fabul intriguese romanore, por nga ndeshja brenda së njëjtës klasë: bujqëve; muhaxhirët, pakicat numerike dinamizonjnë proceset agrare, vitalizojnë me efektivitet marrdhëniet me tokën si e vetmja shpresë për t’u mbajtur gjallë. Te ky konflik/kontrast brenda klasor, madje dhe brenda tribusë së tij, Pilo Shpiragu me vendasit dhe me familjen e vëllait, e shohim dhe njërën nga arsyet jashtë letrare pse ‘Lumi’ i J.Xoxes, ndonëse ka si re të zezë edhe praninë fuqiplotë të pronarit të madh të tokave, Suat beut, nuk është parë si vepër propagandistike, nuk është refuzuar së lexuari edhe pas zvendësimit tërësor të horizontit të receptimit të veprës nga botimi i parë e deri sot. J. Xoxe, as për shkak të vijës zyrtare të regjimit në cilin ishte akomoduar më së miri e punonte me përkushtim, as për shkak të efekteve dramatikë-emocionalë në shestimin e konfliktit romanor, nuk e përdor hiperbolën në dëm të klasave armike të popullit, sikurse u quajtën pronarët e tokave, rreshperët e qyteteve, tregëtarët, me një fjalë, nuk e shpërdoron fjalën e tij artistike.
Tjetër përplasje të përherëshme forcash madhore, nga të cilat burojnë e ushqehen dramat njerëzore kemi ato mes natyrës – huqet e saj klimaterike – dhe kultivuesëve të tokës: te “Kasollja” kemi thatësirat e paparashikueshme dhe një Gjykatë të Veçantë për shpërndarjen e ujit; te fushat e Okllahomas kemi ndërrimet fatale të klimës, stuhitë e pluhurit, vapa, rreshjet; te “Mehmet imcaku” kemi, krahas motit të ashpër dimëror edhe bimët e egëra, shkurre, gjëmbaçë, dredha të dëmshme ndaj prodhimit bujqësor, aq sa, në aktin e fundit, Mehmeti i dalë në arrati, pasi vret Abdi aganë, i djeg shkurret e gjambaçët, siç bëri me armikun e përbetuar; Myzeqeja, Trokthi i J. Xozes ka lumin, në kohën e shirave të tejzgjatur dhe thatësirën, atëherë kur uji i duhet bimësisë. Pa ndeshjet me përmbytjen dhe me thatësirat, rrëfimi romanor i J. Xoxes nuk do ta kishte dramaticitetin, fatalitetin, rënien në dert të personazheve të tij: pa këto kundërshti madhore midis klimës/natyrës dhe njeriut-bujk, kontratat për huamarrjen e tokës me rreshperët e Fierit, me Suat beun, do të ishin të përballueshme; në vend të romanit mund të ishte i mjaftueshëm një reportazh gri. E thënë ndryshe, si dhe në romanet e tjerë të përmendur, fabula romanore është e thjeshtë, jo premtuese, në dukje, monotone po të mos ishte konflikti agrar: Fuqitë natyrore ndaj fuqive njerëzore; paralelisht kemi dhe përplasje sistemesh: Sistemi agrar-feudal me elementët borgjezë-industrial.

(II). ‘Lumi’, lexim tjetër.
Rrëfyer në vetë të tretë si rrëfim kolektiv për histori kolektive, për nga poetika, ‘Lumi’, në mënyrën e tij i përket realizmit kritik, siç dihet. Për nga historia dhe narrativa i përket epikës; për nga procedimet karakterizuese, autori zgjedh përshkrimin piktural/poetik; vendngjarjet, edhe kur ngjarja e pritëshme nuk është fort domethënëse, determinuese – përshkruhen me hollësi, me figura ambientale, me krahasime e metafora nga më të larmishmet – praktikë kjo e konsoliduar nga Balzak, e shpeguar zakonisht me dashurinë e tij për teatrin, ku, përpara se të tregojë një dramë njerëzore duhet përgatitur skena me dekoret përkatëse. Shpesh, vendgjarja, skena, e pikturuar verbalisht, sikur e nënkupton dhe paralajmëron ndodhinë si kontrast me natyrën ose si zgjatim i të njëjtit fat të paracaktuar njeri-natyrë. Pa ndërhyrjet brutale dy të forcave madhore, (1) – pushteti i natyrës dhe (2) – pushteti pronësor i aristokracisë fshatare e borgjezisë së vogël, ‘Lumi’ do të ishte rrëfim i ri piktural/poetik për ‘Punët e ditët’, po të perifrazojmë veprën e Hesiodit. Dialogu është po aq mjet i dashur dhe përdorur më së miri nga J. Xoxe; duke i lënë personazhet e tij në dialogime, ai i lë ata të vetë-zbulohen si konstitucion psikologjik, si gjendje shpirtërore, si formim mendor. I vetëdijshëm për proliksitetin bisedor dhe ligjërimin prozaik, jo substancial të heronjve të tij, autori i nënkuptuar del nga pozicioni i tij, bëhet i dukshëm në çdo fillim kapitulli nëpërmjet epigrafëve/motove, fjali të nxjerra saktësisht ashtu siç shfaqen më pas në rrjedhë të rrëfimit: nënvizime autoriale si kryefjalë të tij mes fjalëve të zakonta, jo dhe aq kuptimplote të personazheve të tij përgjatë ‘rrëfimit kolektiv’.
Pamë si kjo tipologji romanore e binomit Bujk-Tokë, në mungesë të një fabule intriguese origjinale, kishte të përbashkët: konfliktin brenda llojit; konfliktin klasor dhe konfliktin Njeri – Natyrë, Njeri – forca e papërballueshme klimaterike. Në ‘Lumin’ e J. Xoxes, këto vatra të përherëshme konfliktuale i lënë radhë njëra-tjetrës. Krahas tyre është një forcë tjetër e cila e unifikon historinë, e prin atë në mënyrë aksiologjike, e pasuron dhe e kushtëzon: është femra, është Vita, së pari si bukuri fizike, mandej si gjini – e bukura femërore, pastaj si ideal, si tundim e synim për kënaqësi seksuale, për çiftëzim dhe pjellori, për vijimësi të species, të racës. Me të drejtë I.Yzeiri ka hetuar erosin dhe thanatosin te ‘Lumi’ në një trajtim të gjatë; në leximet e mia, thanatosi nuk ka peshë specifike në roman, pavarësisht propozimit të autorit nëpërmjet motove, kurse erosi derivohet në ‘E bukura femërore’, në ndijim seksual.
Në nisje të historisë fiksionale, pasi përshkruan hollësisht ambientin, skenën e aktit të parë të dramës së familjes Shpiragu, rrëfimtari ndalet gjatë te Vita, si krijesë e bukur, si femër në prag të lulëzimit, bash si toka bujqësore, në zgrip për t’u zotëruar, për t’u punuar, për t’u mbjellë, për të marrë frutin e bekuar, njeriun pasardhës. Me pathos e vizaton grizaraken autori, sikur e paralajmëron lexuesin se asaj së shpejti duhet t’i ndodhë diçka, në mos rastësisht, atëherë domosdoshmërisht, duhet t’i ndodhë diçka si prej një ligjësie natyrore.
Rasti e sjell që vajza ngecet shpirtërisht/ndijimisht te djali i panjohur, Adili, muhaxhir dhe ai, prej Kosove. Por, mëtonjësit për femrën e re e të bukur, në pik të lulëzimit, janë disa, ndër ta edhe Suat beu. Arkeologu i zonës, thur me sukses intriga duke i ngritur pusi Vitës; arrin të ndeshet me të edhe fizikisht për t’i marrë diçka, shumçka, në fakt, pafajësinë, trupin, nderin. Më vonë ai maskohet nën një tjetër profesion të bjerë përsëri ndesh me vajzën. Rreshperët nga Fieri, po ashtu e lakmojnë dhe e dëshirojnë. Burrat e Trokthit, në oborr të kishës, nuk e marrin grurin e zier, ofruar nga Shpiragajt për shpirtin e nipit të mbytur; por kur gruri ofrohet nga Vita, rreth saj mblidhen të gjithë dhe gruri nuk mjafton. Bukuria e saj prek këdo, thyen monotoninë e jetës së fushës, të sarajeve e të kasolleve, dikton kahjen e veprimeve e të ndodhive sa i përket njerëzisë. Duke e shfaqur shpesh Vitën, duke e rivizatuar në çdo shfaqje me përshkrime të hollësishme hiret e saj moshore, autori-rrëfimtar e bën atë protagoniste, një kundër figurë ndaj mjerimit e varfërisë së gjindjes përreth, një forcë tërheqëse e ndikuese, forcë e barabartë me natyrën. Në fillim e në fund të mëtonjësve është Suat beu. Gjuetia e tij ndaj femrës së re e ndihmon të kuptojë se mbretëria e tij ka marrë fund: jo pronësia, jo çifligu: viriliteti është njësia matëse e pushtetit të tij. Kur e kupton se mosha e ka zhburrëruar, ia pamundëson pushtetin mashkullor-seksual, shembet në dyshemenë e sarajeve dhe e lejon vajzën të ikë, të arratiset prej aty.
Vita, nga narratori paraqitet si femra e parë e botës, një lloj Eve, dhe këtu bën zë një motiv biblik, ai i mëkatit fillestar. Gjarpëri bëhet shkak që ajo të prekë për herë të parë me buzë një mashkull, djaloshin e panjohur, Adilin, dhe mbetet e robëruar pas tij. Të dy, mashkulli e femra e kujtojnë me të qeshur edhe më vonë gjarpërin, pikërisht në natën e tyre të parë në arrati, kur kanë vendosur të jetojnë së toku, si shkaktarin e njohjes dhe lidhjes së pazgjdhshme të tyre. Vita dëshmohet gjatë si femra e parë e botës edhe nëpërmjet shtatzanisë së saj të supozuar, pa kryer akt seksual, në fakt. Ndonëse e rritur në mjedisin familjar prindëror burrë-grua, megjithëse jeton po ashtu mes familjesh të krijuara nga martesat mashkull-femër ku janë të zakonëshme lindjet, shtatzanitë dhe bisedat për to, ajo bashkohet me dyshimet e pëshpëritjet e botës se dhe ajo vetë mund të jetë shtatzanë. Dhe nisë të pyesë gratë si ndodh të jesh e tillë?!
‘Lumi’, ka nevojë edhe për lexim psikoanalitik me të cilin mund të kuptohet pjesa e tretë dhe e fundit e romanit, “Në hijen e pyllit mbret”, pjesë e cila mund të qëndrojë si roman më vete, për nga ngjarjet, për nga vizatimi me një dimension shtesë të protagonsitëve: pavetëdija, shtysat instinktive, posaçërisht ato seksuale. Në pjesën e tretë kryhet përballja përfundimtare e protagonistëve, konvergojnë në një pikë të vetme linjat e veprimit, përmbyllet historia.
Episodet e fundit i romanit çojnë te psikanaliza: Adili me Vitën janë arratisur së toku. Kalojnë natën e parë si burrë e grua në pyll; Vita ka dëshmuar dlirësinë e saj femërore dhe presin natën e radhës po në pyll, në krahët e njëri-tjetrin. Ndjekësi, Suat beu, ‘babai”, autoriteti kryesor i “familjes së madhe”, pronari i çdo gjëje të gjallë të çifligut të tij, me qahajallarët dhe ciganin, është përfshirë në kapjen dhe mbarështrimin e kuajve dhe lëshimin e hamshorëve për pelat. Adili, nga pema e shikon këtë shfaqe. Me vete ka gjerdanin me të cilin Suati donte të joshte Vitën; ndërkohë shikon në duart e beut litarin në formë laku me të cilin do të kapë pelat. Pikërisht kur Suati e ka lënë pas dore ndjekjen e çiftit dhe nuk ka rënë në gjurmët e tyre, Adili nuk përmbahet dot dhe… qëllon beun për ta vrarë. Paralelizmi është i qartë mes lakut prej litari për pelat me lakun prej rruazash, me gjerdanin për vajzën. Instinkti i rivalitetit pronësor, i dominimit seksual – pavetëdija – e mposht Adilin duke e bërë të tërheqë pa shkaqe të arsyeshme këmbëzën e pushkës. Episodi pasardhës na e paraqet beun në odën e tij, me gjerdanin që i kishte dhënë Vitës, kthyer nga Adili nëpërmjet qehajait, i cili është xhaxhai i zotëruesit të Vitës. Pa i lënë interpretimet në mëshirë të imagjinatës së lexuesit, autori, nëpërmjet Suat beut na pohon çfarë kemi hamendësuar ne si lexues kur Adili shënoi me armë për ta vrarë rivalin e tij. Perifrazojmë Suat beun çfarë thotë duke parë gjerdanin me rruaza të bukura, me këtë lak kam kapur kushedi sa pela, të cilat, edhe pasi i martova, mendjen e kishin këtu, te sarajet e mia. Vetëm me Vitën nuk ia dola.
Erosi, në kuptimin frojdian të fjalës, shtjelluar nga Herbert Marcuse është shpegues: “Zvendësimi i parimit të kënaqësisë me parimin e realitetit është episodi më traumtatik i zhvillimit të njeriut, si në zhvillimin e racës, ashtu dhe në atë të individit. Ky episod nuk ka ndodhur një herë të vetme, por përsëritet përgjatë gjithë historisë së qytetërimit dhe në çdo individ. Filogjenetikisht, për herë të parë ka ndodhur në bashkësitë primitive, kur babai i parë monopolizoi fuqinë dhe kënaqësinë dhe i detyroi të bijtë të heqin dorë prej tyre. Ontogjenetikisht, ndodh përgjatë fëmijërisë së parë, kur nënshtrimi ndaj parimit të realitetit imponohet nga prindërit dhe edukatorët. Por për racën dhe për individin, kjo gjë përsëritet vazhdimisht. Sundimi i babait të parë shoqërohet nga rebelimi i parë, nga sundimi i bijve, dhe ky klan vëllazëror duke u zhvilluar, shndërrohet në sundim shoqëror e politik të institucionalizuar”.
Erosi&ndijimi seksual në marrdhëniet e gjindjes fshatare, bëhet faktor – element origjinal ky që e dallon romanin “Lumi i vdekur”, nga vepra të tjera të kësaj tematike. Shtojmë: vëllai i Vitës është i orientuar seksualisht ndaj saj; për këtë arsye ai e kallzon Adilin te autoritet, të cilat e burgosin; fshatarët e përcjellin me humor faktin se prifti ka fëmijë të paligjshëm dhe merret me vejushat, në kundërshtim me parimet morale të cilat predikon. Qerrja e muhaxhirëve nga Griza, familja Shpiragu, vjen në Trokth duke hapur një faqe historie sepse Pilo Shpiragu ka shtënë pushkë për të vrarë mëtonjësin e gruas së tij; dhe largohet nga skena e ngjarjeve duke shënuar fundin e romanit po për shkak të një ndeshjeje të kësaj natyre, poseduesi shpirtëror e fizik i Vitës, Adili, ka qëlluar mëtonjësin tjetër, autoritetin tjetër atëror, Suat beun. Vetë bujqit, në një pushim dreke thonë se, si dhe shtazëria, edhe ne kemi vetëm kënaqësitë seksuale. Tundimi/veprimi seksual te beu është edhe shenjues pushteti dhe autoriteti, tek bujqëria është ngushëllim, harresë, ikje nga përditshmëria, ngjashëm me skicat e mjerimit të Migjenit, ku burri përpiqet me prekë harresën.
Ndjesia/nevoja seksuale te Lumi bëhet element afirmues e vetshkatërrues, ankth, ikje e përkohëshme nga mjerimi, nga ndrydhja dhe kthim po aty.
Pavarësisht Vitës, “Lumi i vdekur” nuk është roman i jetës së saj. Sikurse dhe rrëfimet madhështore të epikës antike, “Iliada” e “Odisesa”, të cilat ndodhin përkatësisht për shkak të Helenës dhe Penelopës, pa qenë mirëfilli historia e asnjërës prej tyre, edhe ‘Lumi’ është histori artistike e tokës së Myzeqesë dhe e njerëzve të saj në një rrotullim të plotë rreth diellit, v.38-39.
Krijuar në valën e instalimit të letërsisë së realizmit socialist, ‘Lumi’ nuk i përmbush kriteret e paracaktuara për metodën krijuese zyrtare. Realizmi kritik me elementë natyralistë, mbritur vizualisht me një gjuhë të pasur poetike, hetimi delikat i pavetëdijes njerëzore, siç shihet kryesisht në pjesën e tretë – janë tipare shquese të këtij romani, falë të cilave ai rrjedh nëpër vite, duke u bërë ballë ndyshimeve social-politike e kulturore.

Latest articles

Related articles