Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP, Silva Bino ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme paraditen e sotme (6 qershor).
Nuk dihen ende arsyet e paraqitjes së saj në SPAK. Në foton e siguruar nga Panorama TV, shihet momenti kur ajo futet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Arrestimi i sekretares së Përgjithshme të MSH-së
Kujtojmë se pak ditë më parë, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe vartësja e saj, Luara Shteto, u arrestuan për korrupsion.
Joana Duro dhe specialistja e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara dolën ditën e djeshme (5 qershor) para GJKKO dhe togat e zeza caktuan masën e sigurimit “arrest me burg” për to.
Dy punonjëset e MSH-së u vendosën në pranga më 2 qershor. Dyshohet se sekretarja e Shëndetësisë mori ryfshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë ‘DRICONS’ në një tender të hapur nga Ministria për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.
Në agjencinë e prokurimit publik shihet se përkundër vlerës prej 805.872.23 lekë të vendosur si fond limit nga ministria për tenderin, kompania ka afruar 672.457.60 lekë.
Dy zyrtaret akuzohen për veprat penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Hetimet e SPAK për korrupsionin me tenderin e Ministrinë e Shëndetësisë kanë çuar edhe në ndalimin edhe te administratorit të kompanisë, ‘DRICONS’, Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi.