Rama jep 1 miliardë e 80 milionë lekë për rikonstruksionin e ish-vilës së Enver Hoxhës

Në 7 prill, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare shpalli tenderin me objekt “Rikonstruksioni i Vilës 31” ,ish-vila e Enver Hoxhës, me vlerë të fondit limit 1 miliardë e 122 milionë lekë, me kohëzgjatje 12 muaj.

Nga dokumentat e tenderit, punimet që do të kryhen janë restaurim çatie dhe tarraca, ulluqe, fasada, element dekorativë, patimim dhe lyerje dhe dyer, dritare dhe grila.

Fituese e këtij tenderi është shpallur shoqëria Valona Konstruksion shpk, me vlerë kontrate 1 miliardë e 80 milionë lekë, sa 96% e vlerës së fondit limit.

Ndërkohë që nëpërmjet një shtojce, institucioni ndalon nënkontraktimin për këtë tender duke bërë që kjo shoqëri të kryejë e vetme punimet e mësipërme dhe për pasojë të përfitojë e vetme 1 miliardë e 80 milionë lekë, pa ndarë asnjë qindrakë me ndonjë shoqëri tjetër.

Nga ardhja në pushtet e qeverisë Rama, vila e Enver Hoxhës është e dyta herë që rikonstruktohet:

Në 20 maj 2015 Ministria e Zhvillimit Urban, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, për Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, i akordoi asaj fondin prej 65 000 000 lekësh, për përballimin e pjesshëm të shpenzimeve për realizimin e procedurave të prokurimit për rikonstruksionin e gjashtë godinave, ku përfshihej edhe vila e Enver Hoxhës.

Objekti “Vila 31” është Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, i shpallur sipas Urdhërit nr. 122, dt.05.03.2007. Vila nr. 31, nuk do të klasifikohet më si “Sekret Shtetëror”.

Në janar të këtij viti Komisioni i Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit të Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, ka deklasifikuar plotësisht informacionet e klasifikuara për “Vilën nr. 31” si “Konfidencial”.

Implementimi i zbatimit të projektit në ridimensionimin e ambienteve të Rezidencës Qeveritare, Vila nr. 31, ka për qëllim të ruajë karakterin e saj ceremonial, por njëkohësisht të jetë edhe i hapur për publikun. Duke qenë se, dokumenti “Projekti i Rezidencës Qeveritare, Vila nr. 31”, i klasifikuar “Konfidencial”, përbën një element të rëndësishëm për zhvillimin e procedurës së hapur të prokurimit publik, me objekt: “Rikonstruksioni i Rezidencës Qeveritare, Vila nr. 31”, ai duhet të deklasifikohet.”- thuhet në bibliografinë e informacionit të deklasifikuar në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.

Në projektin e restaurimit, tek ndërhyrjet parashikohet;

Zëvendësim i dyerve të brendshme me dyer MDF me kasë druri, duke respektuar estetikën e hapësirës. Hidroizolim përreth pishinës dhe zëvendësim me pllaka porcelain, zëvendësim i pllakave të murit, zëvendësim i moketit, zëvendësim i vetratave ekzistuese me vetrata të reja duralumini me xham të dyfishtë dhe profile alumini me prerje termike, duke ruajtur estetikën e vetratave ekzistuese, zëvendësim i derës së jashtme me derë të re me të njëjtin model, Sa i takon pjesës së mobilim parashikohet restaurim dhe mobilje të reja .

Por, pas gjithë këtyre zëvendësimeve që parashikohen në këtë projekt pyetja që lind është çfarë do të mbes nga identiteti i saj?

Tenderi është fituar nga shoqëria Valona Konstruksion në pronësi të shtetasit Besnik Lulaj, të cilin media e ka denoncuar si të përfshirë në kartelin e “Sinaloas” dhe person që ka takuar Edi Ramën në Kryeministri.

Latest articles

Related articles