Ish kryebashkiaku Dako prangoset për shpërdorim detyre

Ekzekutimi i urdhër-arrestit për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako është ekzekutuar.

Lajmi është konfirmuar nga burimeqë bëjnë me dije se Dako është arrestuar ndërsa vijon aksioni për 9 ish-zyrtarët e tjerë.Aksioni i SPAK duket se ka nisur pas dyshimeve për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.

Dosja
Kërkesa e depozituar në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë Durrës, është bërë nga prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, i cili pas disa muaj hetime në një çështje penale, ka konstatuar parregullsi në procedurat e ndjekura gjatë ndërtimit të një pallati në qytetin e Durrës.

Për këto parregullsi sipas SPAK, përgjegjës është ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Drejtoresha Juridike në bashkinë Durrës, Lira Kërtusha dhe 8 persona të tjerë të Urbanistikës,INUV, ALUIZNI, përfshirë këtu dhe një administrator kompanie private, që ka ndërtuar objektin pa lejë në qytetin e Durrësit.
Përmes burimeve në SPAK, “Ora Neës“ ka mësuar se një gjyqtar ka vendosur mospranimin e kërkesës së prokurorisë, për arrestimin e Vangjush Dakos dhe caktimin e masës së sigurisë personale për personat e tjerë.

Pas këtij vendimi, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, këtë javë e ka apeluar Vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Vangjush Dakon dhe disa persona të tjerë.

Ndërsa masa më të buta si “arrest në shtëpi” janë kërkuar për disa nga femrat e proceduara në këtë procedim penal që po hetohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit pa leje” për qëllime përfitimi.
Për këtë çështje dy muaj më parë Vangjush Dako u paraqit në SPAK, duke dhënë pretendimet e tij.Dako rezulton i kallëzuar në SPAK nga disa banorë të një pallati, objekt i cili më pas u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Dako, është figura kryesore e Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit dhe figura më e përfolur lidhur me kontaktet e tij në botën e krimit në këtë zonë.

Vangjush Dako, ka qenë pjesë e verifikimeve në një dosje të SPAK që flet për organizim dhe blerje votash për llogari të PS, në qarkun e Durrësit.

Dako në këtë dosje me nr.339 del në përgjime teksa flet me anëtarë të grupit Avdyli në Shijak për blerjen e votave.

Edhe pas shpalljes familjarisht “Non grata” nga autoritetet amerikane “për korrupsion madhor”, Prokuroria për Krime të Rënda e ka marrë sërish në pyetje, por vetëm pak muaj më vonë ky institucion u shkri pas krijimit të SPAK dhe çështja kundër tij, i kaloi Prokurorisë së Posaçme.

Latest articles

Related articles