Improvizimi i pushteti absolut – KOMENT nga Av. Besart Logu

Paralajmërimi nga Rama i arrestimit të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë nuk është rasti i parë që ndodh. Ndodhi dhe me Fredi Bejlerin, ku nga studio e Opinion kërcënoi: “autoriteti në këtë vend jam unë dhe se çdokush që ushtron presion mbi votën do të përballet me ligjin”. Shumëkush mendon se kjo vjen si pasojë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga Edi Rama dhe se vendos ai se kush të procedohet e kush jo, padiskutim ndihmuar edhe nga retorika e opozitës e tipit “Ramaforma”.
E njëjta gjë ndodhi edhe me çështjen e shpalljes së Berishës non grata, ku nga foltorja e parlamentit pyeste: “Sali, e kalon dot oqeanin?”. Edhe në këtë rast, për opozitën (koalicioni BF) ishte Rama që influencoi nëpërmjet lobimeve dhe ndikimit të Xhorxh Soros në Departamentin e Shtetit.
Thënë ndryshe, na del se Rama është kthyer në një Master of Puppets i cili lëviz fijet e pushtetit politik. Një person aq fuqiplotë sa zhvillimet dhe ngjarjet e rëndësishme në vend nuk janë gjë tjetër veçse shfaqje e vullnetit tij.
Personalisht kam tjetër optikë. Duhet thënë paraprakisht se Edi Rama, në pozitat e kreut të PS por dhe të kryeministrit të vendit, ka akses të pakufizuar në informacion, të çdo niveli qoftë ai.
Si kryetar partie, çdo hallexhi i cili do që të mbarojë punë, sidomos të korruptuarit në administratë që vihen në dijeni se janë nën hetim, i kërkojnë ndihmë shefit tyre për ndërhyrje. Mënyra se si organizohet partia, bën që të rrethohesh nga informatorë vullnetar të cilët raportojnë qoftë për pasion, qoftë në funksion të karrierës si mjet që u shërben të qëndrojnë pranë 1-shit. Dhe më e rëndësishmja, funksioni i kryeministrit bën të kesh akses edhe në informacione që mblidhen dhe përpunohen nga institucionet shtetërore. Ligjërisht, Shefi i Shërbimit Informativ raporton në mënyrë periodike te kryeministri për zhvillime të ndryshme, sidomos për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare. Pranë Kryeministrisë është edhe një strukturë e emërtuar DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) e cila ruan, klasifikon dhe administron informacionin e klasifikuar sekret shtetëror në nivelet; i kufizuar, konfidencial, sekret dhe tepër sekret.
Gjithashtu, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s e si e tillë merr dijeni nga Aleanca mbi të dhëna konfidenciale për ngjarje, shtete apo individë të caktuar. Nëpërmjet ministrit të jashtëm, të mbrojtjes dhe atij të brëndshëm, informohet mbi çdo zhvillim nga organizata tjera partnere në fushën e mbrojtjes, luftës kundër krimit të organizuar spiunazhit, etj.
Dhe e fundit, kryeministri i një vendi ka mundësi të jetë pjesë e lobimeve dhe networkeve të ndryshme jashtë sferës institucionale por me shumë ndikim në politikat kombëtare dhe ndërkombëtare. Pra, kryeministria është një qendër e madhe e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit, të atij të brëndshëm e të jashtëm, formal dhe informal, nga vende mike dhe jomike, që lidhen me subjekte pranë rrethit të pushtetit apo atij opozitar. Praktikisht, Edi Rama disponon informacion mjaftueshëm dhe që është krejt normale për një drejtues shteti.
Shprehja e famëshme se informacioni është pushtet, lidhet pikërisht me këto rrethana. Jo vetëm kryeministri por kushdo që disponon një informacion të vlefshëm dhe që shkon në funksion të përmbushjes së interesave të tij, padiskutim që e përdor atë në mënyrën më efikase të mundshme. Ama, zhvillime të tilla nuk ndodhin haptazi. Publiku nuk merr pjesë sepse privatësia dhe kryerja e gjërave në mënyrë diskrete është pushtet më vete. Të jep mundësinë të përmbushësh objektivin duke shmangur indikatorë të caktuar që ndikojnë direkt apo indirekt në qëllimin final. Nuk duhet harruar se; kufiri i informacionit nuk konsiston në çfarë thuhet por në çfarë heshtet. Kështu, për një lexues të kujdesshëm, edhe mungesa e informacionit është informacion. Pra, kur mungon informacioni diçka po luhet nga ana tjetër.
Po pse Edi Rama i ekspozoi këto ngjarje?
E para, janë zhvillime jo në interes të tij. Pra, arrestimi i Sekretares së Përgjithshme nuk kapitalizohet politikisht prandaj nuk investohet në të. Përkundrazi, duke i paraprirë përfiton më shumë se sa duke i ikur rastit.
E dyta, janë zhvillime të cilat do të ndodhin dhe nuk ndikon dot në rrjedhën e tyre. Lufta kundër korrupsionit në nivele të larta ka nisur dhe nuk ndalet më. Është një luftë që mbështetet dhe shtyhet fort nga SHBA-ja, nëpërmjet mekanizmit “non grata” por dhe duke u investuar në sistemin e ri gjyqësor.
E treta dhe më e rëndësishmja, tenton të krijojë idenë se është ai regjizori që shkruan dhe përcakton zhvillimet politike. Ashtu siç e parashtrova më lart, është e vërtetë se Edi Rama zotëron informacion por në rrethana tjera dhe jo pse ka vendosur ai paraprakisht se kush do të hetohet e kush jo. Por, në kushtet kur eksponentë të opozitës janë me dosje në prokurori, ngritja e pretendimit se Edi Rama kontrollon organin e akuzës, i shërben si alibi të nesërmen kur të thirren si të pandehur. Nëse keni vënë re, kur politikanët përballen me ligjin, të gjithë përdorin shprehjen klishe: “Është sulm politik”.
Edi Rama, në mos e ka qëllim, duhet të kuptojë se praktika të tilla kompromentojnë punën e organeve të drejtësisë. Të bësh pis punën e prokutorit që arrestoi Fredi Belerin është krim më vete. Ai prokuror duhet përgëzuar për integritetin profesional që tregoi. Të hetosh subjekte si Fredi Beleri, me ndikim në qarqe politike dhe diplomatike, të duhet guxim në kufijtë e budallait. Vetëm në këtë mënyrë bëhet i mundur aplikimi i parimit universal ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
Duhet thënë gjithashtu se; denigrimi i punës së organeve te drejtësisë është e barasvlefshme me pengimin e funksionimit të tyre. Bërë kjo nga kreu i ekzekutivit, praktikisht jemi para minimit të demokracisë. Kjo sepse, pritshmëritë prej reformës në drejtësi janë të larta dhe thyesh besimin që shqiptarët kanë në organet e krijuara rishtas, sjell të njëjtin efekt sikur i ke kapur ato.
Si përfundim, Edi Rama nuk i gëzon ato përmasa që pretendon, sidomos ato që i japin segmente të caktuara të opozitës. Edi Rama disponon informacion për shkak të funksionit por nuk është në gjendje të prodhojë zhvillimet politike në fjalë. Improvizimi i pushtetit absolut e kthen atë në një master of puppets amator, që gjithsesi shkakton pasoja të rënda por jo të pariparueshme në opinion.

Latest articles

Related articles