𝗣𝗗 𝗽𝗲𝗻𝗴 𝗶 𝘃𝗲𝘁𝘃𝗲𝘁𝗲𝘀

Ilirjan Taga

Demokratët nuk mësuan dhe kësaj rradhe. Po ndjekin rrugën e përhershme. Para zgjedhjeve e kanë fitoren e sigurtë, pas zgjedhjeve ua kanë vjedhur votat. Kësaj rradhe kanë edhe “armikun e brendshëm” të cilin duket se kanë vendosur “ta shpartallojnë” përfundimisht në 2025-ën.
Realiteti ka ndryshuar, demokratët vazhdojnë në “shtegun” e para 20-30 viteve.
Nëse edhe kjo humbje nuk u mjaftoi për reflektim, asgjë nuk do tu mjaftojë më. Gjakftohtët duhet të fillojnë e të reflektojnë se “shtegu” që zgjodhën duke ndjekur të shkuarën, ishte i gabuar. Kushdo që do ta ndjekë përsëri, ta bëjë, por të paktën ta bëjë i ndërgjegjshëm për humbjen që do ta pasojë.
Demokratët e “shumicës”, duhet të kuptojnë se asgjë e mirë nuk vjen prej inatit. Nuk duhet të “vetmashtrohen” me 500.000 vota, të cilat prapë se prapë janë shumë pak. Aty është edhe vota ime që, aspak nuk i përket “shtegut” të cilin kanë zgjedhur të ndjekin.
Demokratët e “shumicës” dhe të “pakicës” duhet të kuptojnë që PD nëse do që të mbijetojë dhe të rikthehet në alternativë qeverisëse, duhet të ribëhet. Po po, të ribëhet nga e para, të shkrihet, të shpërndahet e të ringjizet, nëse do mundet. Duhet të kuptohet se duhen njerëz të rinj, nga baza deri në majë të piramidës. Sepse PD është peng, peng i njerëzve të vet që, nuk heqin dorë nga pozita e tyre aty, sado në nivel qendror, lokal, fshati a lagjeje të jetë kjo pozitë.
PD duhet të fitojë shqiptarët, jo demokratët, sepse demokratët, duhet më në fund ta kishit kuptuar që, nuk mjaftojnë.
Nuk mjafton të ikë Berisha, nuk mjafton të “shkatërrohet” Basha. Duhet të ikin shumë e shumë të konsumuar nga aktiviteti partiak e sidomos nga pushteti. Këta e mbajnë peng PD, këta që kanë qenë në pozita drejtuese partiake e sidomos shtetërore, këta që “ia kanë pa hajrin” pushtetit dhe duan t’ia shohin sërish. Këta i keni prapë në krye, nga njëra anë shumë më shumë, nga ana tjetër jo pa gjë.
Nëse duam t’i lëvizim nga istikami këta, duket se nuk ka rrugë tjetër, vetëm tu heqim istikamin. Ata vetë nuk lëvizin.
Ëndërr e bukur kjo e imja. Qëlloftë të dalë…

Latest articles

Related articles