Sot Fjala e Zotit na flet për Shpirtin Shenjt në veprim – me këto fjalë e nisi Papa homelinë e Meshës, kremtuar në këtë ditë të madhe feste për Kishën e besimtarët e mbarë botës. Duke na kujtuar se Shpirti i Zotit vepron në tre çaste kryesore: në botën që krijoi, në Kishë dhe në zemrat tona. Ta vendosim përsëri Shpirtin Shenjt në qendër të Kishës, përndryshe zemra jonë nuk do të përvëlohet nga dashuria për Jezusin, por për vetveten.
Papa: duke ecur së bashku me Shpirtin Shenjt, të ndërtojmë harmoninë në Kishë!
Sot Fjala e Zotit na flet për Shpirtin Shenjt në veprim – me këto fjalë e nisi homelinë Papa në këtë ditë të madhe feste për Kishën e besimtarët. E shohim duke vepruar në tre çaste – shtoi – në botën që krijoi, në Kishë dhe në zemrat tona.
Mbi të gjitha në botën që krijoi, në krijim. Shpirti Shenjt është në veprim që në fillim: “Dërgoje shpirtin tënd, e ata krijohen”, u lutëm me Psalmin (104:30) – kujtoi Papa – sepse ai është Krijuesi (krh. Shën Agostini Ps. XXXII, 2, 2), Shpirt Krijues – kështu e quajti Kisha ndër shekuj – theksoi Françesku – për të vijuar me pyetjen nga e cila lind meditimi i madh: çfarë bën Shpirti në krijimin e botës? Nëse gjithçka buron nga Ati, nëse gjithçka krijohet nëpërmjet Birit, cili është roli i veçantë i Shpirtit? Papa iu përgjigj kësaj pyetjeje, me shpjegimin e Atit të madh të Kishës, Shën Vasilit:
“Nëse përpiqesh të heqësh Shpirtin nga krijimi, të gjitha gjërat përzihen dhe jeta e tyre duket pa ligj, pa rregull” (Spir., XVI,38).
Roli i Shpirtit Shenjt
Atëhere, cili është roli i Shpirtit:
“Ai, që në fillim dhe në çdo kohë, i bën realitetet e krijuara të kalojnë nga çrregullimi në rregull, nga shpërndarja në kohezion, nga konfuzioni në harmoni. Ai i jep botës harmoni; kështu “drejton rrjedhën e kohës dhe përtërin faqen e dheut” (Gaudium et spes, 26; Ps 104:30). E rinon tokën, por kujdes: jo duke e ndryshuar realitetin, por duke e harmonizuar atë; ky është stili i Tij sepse Ai vetë është harmoni: Ipse harmonia est (krh. S. BASILIO, Në Ps., 29,1)”.
Të lidhur me njëri-tjetrin, apo të ndarë?
Më pas Papa pikturoi një kuadër të trishtë të botës sonë. Sot – kujtoi – në botë ka shumë mosmarrëveshje, shumë përçarje! Jemi të gjithë të lidhur, por ndjehemi të shkëputur, të mpirë nga indiferenca, të shtypur nga vetmia:
“Kaq shumë luftëra, kaq shumë konflikte: e keqja që mund të bëjë njeriu duket e pabesueshme! Por armiqësitë tona i nxit shpirti i përçarjes, djalli, emri i të cilit ka kuptimin ‘përçarës’. Të keqes sonë i paraprinë dhe e tejkalon shpirti i keq, që “mashtron gjithë tokën” (Zbulesa 12:9).
Atij ia kande antagonizmat, padrejtësitë, shpifjet. Dhe, përballë të keqes së mosmarrëveshjes, përpjekjet tona për të ndërtuar harmoninë nuk mjaftojnë. Ja pra, që Zoti, në kulmin e Pashkëve të veta, në kulmin e shëlbimit, nis Shpirtin e tij të mirë, Shpirtin Shenjt, mbi botën e krijuar. Shpirtin e unitetit, që sjell paqe. Ta thërrasim atë çdo ditë në botën tonë!
Nga Krijimi, në Kishë, në zbritjen mbi Apostujt
Ashtu si në krijim, ne e shohim këtë edhe në Kishë, duke filluar nga dita e Rrëshajëve. Megjithatë, vërejmë se Shpirti nuk e nis Kishën duke i dhënë udhëzime dhe norma komunitetit, por duke zbritur mbi çdo Apostull – kujtoi Papa në vijim të homelisë – për të vijuar, më pas, shpjegimin: “Secili merr hire të veçanta dhe karizma të ndryshme. I gjithë ky pluralitet dhuratash të ndryshme mund të krijojë pështjellim, por Shpirti, si në krijim, pëlqen të krijojë harmoni pikërisht duke u nisur nga pluraliteti. Harmonia e Tij nuk është urdhër i imponuar dhe i miratuar, jo; në Kishë ekziston një urdhër «i organizuar sipas shumëllojshmërisë së dhantive të Shpirtit» (S. BASILI, Spir., XVI,39).
Shpirti Shenjt krijon harmoni
Në Rrëshajë, Shpirti Shenjt zbret në shumë gjuhë zjarri: ai i jep secilit aftësinë për të folur gjuhë të tjera (shih Veprat e Apostujve 2:4) dhe për të dëgjuar gjuhën e tij të folur nga të tjerët (shih Veprat e Apostujve 2:6.11) . Pra nuk krijon një gjuhë të njëjtë për të gjithë, nuk i fshin dallimet, kulturat, por harmonizon gjithçka pa sheshuar, pa standardizuar. Le të qëndrojmë në këtë aspekt, te Shpirti që nuk niset nga një projekt i strukturuar, siç do të bënim ne, që shpesh e humbasim në programet tona; jo – mohoi Papa, për të shpjeguar, në vijim se…:
“Ai fillon duke dhuruar falas dhurata të begata. Në Rrëshajë, të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt! (Veprat 2:4). E kështu nis jeta e Kishës. E mbushur plot: jo me një plan të saktë dhe të artikuluar, por me përjetimin e së njëjtës dashuri të Zotit. Shpirti krijon kështu harmoni, na fton të mahnitemi nga dashuria e Tij dhe nga dhuratat e Tij”.
E Shën Pali vijon të na kujtojë: “Ka karizma të ndryshme, por vetëm një është Shpirti […] Të gjithë u pagëzuam nga një Shpirt në një trup të vetëm” (1 Kor 12:4.13). Duke parë çdo vëlla dhe motër në fe si pjesë e të njëjtit trup të cilit i përkas: ky është vështrimi harmonik i Shpirtit, kjo është rruga që na tregon!
Sinodi, shtegtim sipas Shpirtit
Edhe Sinodi në vijim është – dhe duhet të jetë – shtegtim sipas Shpirtit: jo parlament për të kërkuar të drejta dhe nevoja sipas agjendës së botës, jo mundësi për të shkuar atje ku fryn era, por mundësi për të qenë i bindur ndaj frymës të Shpirtit:
“Sepse, në detin e historisë, Kisha lundron vetëm me Të, që është “shpirti i Kishës” (Shën Pali VI, Fjala drejtuar Kolegjit të Shenjtë për përshëndetje onomastike, 21 qershor 1976), zemra e sinodaliteti, motori i ungjillizimit. Pa të Kisha është inerte, besimi është vetëm doktrinë, morali, vetëm detyrë, kujdesi baritor, vetëm punë. Me të, feja është jetë, dashuria e Zotit na pushton dhe shpresa rilind – theksoi Papa që bëri më pas thirrjen:
“Ta vendosim përsëri Shpirtin Shenjt në qendër të Kishës, përndryshe zemra jonë nuk do të përvëlohet nga dashuria për Jezusin, por për vetveten. Ta vendosim edhe në zemër të veprave sinodale, sepse “Kisha ka nevojë për Të mbi të gjitha sot! Prandaj le t’i themi çdo ditë: eja!”. (krh. ID., Audienca e Përgjithshme, 29 nëntor 1972). Dhe të ecim së bashku, sepse Shpirtit, si në Rrëshajë, i pëlqen të zbresë ndërsa “të gjithë janë bashkë” (shih Veprat e Apostujve 2:1). Po, për t’i treguar botës, Ai zgjodhi çastin dhe vendin ku të gjithë ishin bashkë – theksoi Papa:
“Populli i Zotit, për t’u mbushur me Shpirt, duhet të ecë së bashku, të bëjë një sinod. Kështu harmonia ripërtërihet në Kishë: duke ecur së bashku me Shpirtin në qendër. Le të ndërtojmë harmoninë në Kishë!”.
Shpirti Shenjt – Shpirt i harmonisë
Së fundi, Shpirti sjell harmoni në zemrat tona. E shohim në Ungjill, kur Jezusi, në mbrëmjen e Pashkëve, u fryn dishepujve dhe thotë: “Merreni Shpirtin Shenjt” (Gjn 20:22):
“Vetëm Shpirti e rikthen harmoninë në zemër, sepse krijon ‘intimitetin me Zotin’. Nëse duam harmoni, ta kërkojmë Atë, ta thërrasim çdo ditë, ta fillojmë çdo ditë duke iu lutur Atij, le të bëhemi të urtë ndaj Tij!”.
Një breshëri pyetjesh, që presin gjegje
E sot, në ditën e festës së tij – theksoi Papa – le të pyesim veten: a jam i bindur ndaj harmonisë së Shpirtit? Apo i ndjek projektet e mia, idetë e mia pa e lënë veten të formohet, pa e lënë Atë të më ndryshojë? A nxitohem në gjykime, a e drejtoj gishtin dhe përplas dyert në fytyrat e të tjerëve, duke e konsideruar veten viktimë të të gjithëve dhe të gjithçkaje? Apo e mirëpres fuqinë e Tij krijuese harmonike, “hirin e së tërës” që Ai e frymëzon, faljen e Tij, që jep paqe? E, a fal, a pajtohem, a krijoj bashkim? Nëse bota është e ndarë, nëse Kisha polarizohet, nëse zemra copëtohet, le të mos humbasim kohë duke kritikuar të tjerët dhe duke u zemëruar me veten tonë, por le të thërrasim Shpirtin Shenjt.
Në përfundim, lutja e zjarrtë e Papës drejtuar Shpirti Shenjt, në ditën e kremtes së madhe, që i kushtohet:
“Shpirti Shenjt, Shpirt i Jezusit dhe i Atit, gurrë e pashterrshme harmonie, ne ta besojmë botën, ta kushtojmë Kishën, t’i dhurojmë edhe zemrat tona! Eja, o Shpirt krijues, harmoni e njerëzimit, përtërije faqen e dheut. Eja! Dhuratë dhuratash, harmonia e Kishës, na bëj një gjë të vetme në Ty. Eja Shpirti i faljes, harmonia e zemrës, na shndërro, siç e di ti, përmes Marisë!”.