Presidenti Macron ngre alarmin: Franca në rrezik decivilizimi

Paris, Francë | Presidenti francez Emanuel Makron u tha ministrave në një takim të kabinetit qeveritar, të mbajtur ditën e mërkurë, se vendi po sheh një prirje drejt decivilizimit, thanë burimet qeveritare.

Vërejtjet e z. Makron pasuan vdekjen e një infermiereje, dhe tre policëve në javën e kaluar, si dhe një shkëmbimi fatal zjarri në Marsejë. “Duhet të jemi pa kompromis në bazë, u tha Presidenti Makron ministrave në një takim të kabinetit. Nuk ka diçka të tillë, si dhunë legjitime, qoftë verbale apo fizike, që synon njerëzit.”

“Ne duhet të punojmë pa u lodhur për të kundërshtuar këtë proces të decivilizimit, tha ai në komentet e raportuara fillimisht nga e përditshmja ‘Le Parisien’, dhe të konfirmuara për ‘AFP’ nga një person i pranishëm.”

Ndërsa krimi i dhunshëm mbetet relativisht i rrallë në Francë, një javë veçanërisht e dhunshme e shtyu z. Makron të anulonte një udhëtim në jug të Francës, për të marrë pjesë në një përkujtimore për tre policët e vrarë në një aksident automobilistik, i cili ndodhi të dielën, kur një burrë bëri manovra të gabuara.

Gjatë një homazhi për oficerët e policisë të enjten në Roubaix, z. Makron bëri thirrje për respektimin e atyre që rrezikojnë jetën e tyre, për të tjerët, duke denoncuar sjelljet e papërgjegjshme që vrasin.

“Në pamjen e tre arkivoleve tuaja, mund të mbeteni të shtangur përballë padrejtësisë dhe absurditetit”, tha ai. Presidenti shoqërohej nga Zonja e Parë e Francës, znj. Brixhit Makron (Brigitte Macron) dhe Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin.

Në Marsejë, gjatë fundjavës tre burra u vranë në një shkëmbim me armë zjarri, ndërsa një infermiere vdiq, pas një sulmi me thikë të hënën, nga një burrë që vuante nga probleme të shëndetit mendor, në qytetin lindor të Reims.

Por fakti që z. Makron përdori fjalën decivilizim, tërhoqi menjëherë kritika se ai po adoptonte retorikën e dashur nga e djathta ekstreme, dhe ata që pajtohen me teorinë ksenofobike të “zëvendësimit të madh.”

Mediat franceze ishin të mbushura me tituj që dekonstruktonin përdorimin e termit të tij.
Sulmet ndaj zyrtarëve.
Një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të zgjedhur, duke përfshirë një kryebashkiak në Francën perëndimore, i cili dha dorëheqjen pas një sulmi me zjarr në shtëpinë e tij, ishte ndër çështjet e trajtuara në fjalët e z. Makron.

Kryebashkiaku Janik Morez (Yannick Morez), i Saint-Brevin-les-Pins dha dorëheqjen, pasi u zgjua dhe gjeti shtëpinë e tij në flakë duke u djegur, më 22 mars 2023. Ata që kundërshtojnë hapjen e një qendre strehimi për azilkërkuesit në qytet, besohet se ia vunë zjarrin qëllimisht banesës së kryebashkiakut.

Në janar 2023, kryebashkiaku Julien Luya i Firminy, në rajonin e Loire, u sulmua nga një grup vendalinjsh që shpërndanin drogë. Kur ata ndezën një zjarr për t’u ngrohur, z. Luya u tha atyre se ishte kundër ligjit, dhe si kundërpërgjigje ata e rrahën dhunshëm me shufra hekuri.

Latest articles

Related articles