Rusia ka filluar tashmë transferimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, sipas Alexander Lukashenko. Kjo deklaratë vjen pasi të dy vendet njoftuan një marrëveshje për vendosjen e armëve – të planifikuara për t’u përdorur në situatat e betejës – në Bjellorusi. Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko tha se transferimi i armëve tashmë kishte filluar, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Vendosja e raketave u njoftua për herë të parë nga Vladimir Putin në mars – duke paralajmëruar vazhdimisht se Rusia do të ishte e gatshme të përdorte armë bërthamore nëse do të ishte e nevojshme për të mbrojtur “integritetin e saj territorial”. TASS raportoi sot se ishte arritur një marrëveshje për ruajtjen e kokave bërthamore në një strukturë të veçantë që duhet të përfundojë së ndërtuari brenda një muaji.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se masa ishte për shkak të një “përshkallëzimi jashtëzakonisht të mprehtë të kërcënimeve në kufijtë perëndimorë të Rusisë dhe Bjellorusisë”. Shoigu tha se Moska do të mbajë kontrollin mbi armët dhe çdo vendim për përdorimin e tyre.
TASS e citoi atë të thoshte se raketat Iskander-M, të cilat mund të mbajnë koka luftarake konvencionale ose bërthamore, u ishin dorëzuar forcave të armatosura bjelloruse dhe se disa avionë Su-25 ishin konvertuar për përdorim të mundshëm të armëve bërthamore.”Ushtarët bjellorusë kanë marrë trajnimin e nevojshëm në qendrat e stërvitjes ruse,” tha ai.
NATO ka thënë se nuk sheh ndonjë nevojë për të ndryshuar qëndrimin e saj bërthamor, megjithëse thotë se retorika bërthamore e Putinit është “e rrezikshme dhe e papërgjegjshme”.
Armët bërthamore taktike i referohen armëve me rendiment më të ulët të krijuar për përdorim në fushëbetejë, në krahasim me ato strategjike të afta për të fshirë qytete të tëra.
Rusia nuk ka bërë të ditur se sa armë bërthamore taktike ka.