Termi “Hollues të Gjakut”, shërben për ta kuptuar lehtë populli, por jo për t’a keqkuptuar lehtë mjekët.
Të hollosh do të thotë “ose të pakësosh sasinë e orizit për të njëjtën sasi të ujit, ose të shtosh sasinë e ujit për të njëjtën sasi të orizit, ose të dyja, pra pakësimin e sasisë së orizit dhe shtimin e sasisë së ujit”.
Kur përdorim “holluesit e gjakut” të tipit antiagregues (Aspirin, Plavix etj), apo anticoagulant (heparina, heparinat me peshe te vogël molekulare, antivitaminikët K, frenuesit e Faktorit Xa, etj), nuk hollohet gjaku në kuptimin klasik, pra as nuk pakësojmë numërin e qelizave të gjakut qarkulluese dhe as nuk shtojmë volumin plazmatik.
Bllokojmë “me dashje” funksione të caktuar të komponentëve të hemostazës, pa ndikuar në sasinë e tyre. Kjo do të thotë se “holluesit e gjakut”, nuk shkaktojnë “anemi nga hollimi i gjakut”, sic ndodh në Aneminë e Hollimit, a) kur shtimi i volumit plazmatik është më i madh se rritja e masës eritrocitare (ndodh në shtatëzani), ose b) për të njëjtën volum plazmatik, pakësohet masa eritrocitare siç ndodh në të gjitha llojet e anemisë, me përjashtim të fazës fillestare të Anemisë Akute Posthemoragjike (ku humbet në të njëtën kohë dhe proporcion si masa eritrocitare dhe ajo plazmatike).
Holluesit mund të shkaktojnë anemi, vetëm kur nxisin gjakderdhjen (Aspirina), ose favorizojnë gjakderdhjen (pra anemi akute posthemoragjike). Por as anemia nuk është pengesë për të përdorur “holluesit e gjakut”.
Sotir Lako.