Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksandër Grushko ka paralajmëruar vendet perëndimore për “rreziqe të mëdha” nëse Ukraina furnizohet me avionë luftarakë F-16.
“Ne shohim se vendet perëndimore janë ende duke iu përmbajtur skenarit të përshkallëzimit. Kjo përfshin rreziqe të mëdha për veten e tyre. Në çdo rast, kjo do të merret parasysh në të gjitha planet tona dhe ne kemi të gjitha mjetet e nevojshme për të arritur objektivat e vendosura”, tha ai.
Komentet vijnë pasi Presidenti i SHBA ,Joe Biden dha mbështetjen e tij që pilotët ukrainas të trajnohen për të fluturuar F-16, duke përmbysur pozicionin e tij të mëparshëm.
F-16 konsiderohen sisteme armësh me performancë të lartë me një distancë prej 860 kilometra.
Në fillim të kësaj jave, Britania e Madhe dhe Holanda thuhet se po krijonin një “koalicion ndërkombëtar” për të ndihmuar Ukrainën të merrte avionë luftarakë F-16. Një pjesë e vogël e vendeve evropiane kanë një furnizim me F-16 të prodhuar nga SHBA, duke përfshirë Holandën, e cila ka sinjalizuar një gatishmëri për të eksportuar disa prej tyre në Ukrainë. Por SHBA-ja do të duhet të miratojë transferimin nga palët e treta./ CNN