Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të disa kornizave prej bronzi, të ndodhura dy ditët e fundit, në lagjen nr. 14, në varrezat e qytetit të Korçës, organizuan punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi Endri Çoçi, 26 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka vjedhur në mënyrë të përsëritur, në varrezat e qytetit të Korçës, korniza bronzi (për mbajtjen e fotografive), të cilat më pas i kishte shitur në një pikë skrapi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kornizat e vjedhura. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.