Vulën e keni tek Ilir Meta! – REDAKSIONALE

Media e Sali Berishës ka hapur debatin e Vulës së PD. Kërkohet që Vula t’i dorëzohet vullnetarisht – si parullat komuniste: “Dorëzojini rinisë çelësat e kishës”.

Argumenti për dorëzimin e Vulës është se Berisha e Meta morën 500 mijë vota, ishin të suksesshëm me 14 maj, prandaj si trofe për ketë sukses madhështor mbi Edi Ramën, u duhet dorëzuar Vula e një partie tjetër. Si vota me të cilat do Vulën, Sali Berisha llogarit edhe votat e LSI. Pra vota e LSI përcakton zhvillimet në PD.

Me ato 500 mijë vota e 7 bashki, ku humbi Shkodër, Kukës, Kurbin?

Lulzim Basha mori 622 mijë vota, pa Ilir Metën, po të llogarisim me LSI del 729 mijë vota. Mirëpo ata nisën lëvizjen Basha Ik. Sulmuan selinë me leva. Sot bashkë me Metën ka marrë 502 mijë, 222 mijë më pak se 2021. E jo që nuk ikën por i kërkon PD-së Vulën.

Sali Berisha tenton t’i paraqesë ato 503 mijë vota si vota personale për të. Kjo nuk është e vërtetë. Janë mijëra votues demokratë në 47 bashkitë ku PD nuk shpalli kandidat, të cilët nuk e pranojnë Sali Berishën por kanë votuar kandidatët e Bashkë Fitojmë. Jo Sali Berishën. Dhe nuk kanë qenë vota për Vulën por vota për kandidatët, specifikisht për bashkitë.

Mirëpo le të pranojmë një moment argumentin e tij..!

Nëse Berisha-Meta paskan qenë të suksesshëm me vulën e Partisë së Lirisë, me flamujt e Bashkë Fitojmë, me komisionerët e numëruesit e Partisë së Lirisë, atëherë çfarë iu duhet Vula e PD? Kanë Vulën e Ilir Metës.

Ajo vulë i paska mjaftuar Bajraktarit për gjithçka. Ajo vulë e ajo infrastrukturë i paska garantuar suksesin e 14 majit. Tani çfarë do? Pse i bie në qafë PD-së?

Arsyeja pse kërkojnë Vulën është nervozizmi. PD, pa Sali Berishën, pa klanin e tij, pa para, pa kryetar e pa kryesi funksionale, nën ciklonin e akuzës dhe në kushtet kur strukturën e vjetër demokrate, Sali Berisha e kapi e çoi tek Ilir Meta, arriti të mbledhë 103 mijë vota për Këshillat Bashkiakë. Kjo tregon se ka demokratë përtej tarafit Berisha.

Janë nervozë dhe kanë frikë se pas degjenerimit të tyre elektoral në 14 maj, shumë demokratë do të kthehen në PD. Kanë frikë se PD mund të fillojë të ringrihet, nga 103 mijë vota të shkojë në 203, 303, 403 e me radhë, në ngritje.

Kjo i acaron, i frikëson, i çakordon. Nuk duan që në Shqipëri të konsolidohet një PD përtej tyre, pa ta, e pa komanduar nga ata. Nuk duan të ekzistojë një PD e tillë. Një PD e reformuar, me gjuhë tjetër, me mendje të tjera dhe me energji të reja. E lidhur me ShBA e BE.

Prandaj kanë hapur debatin e Vulës. Pra me 14 maj paskan garuar për Vulë e jo kundër Regjimit? Qesharakë deri në acarim. Debati i Vulës është hapur edhe për një qëllim tjetër: Për të shmangur dhe mbyllur debatin mbi përgjegjësinë për katastrofën elektorale.

Vulën e kanë tek Ilir Meta. Me Vulën e tij bënë mrekulli. Çfarë iu duhet Vula e PD? Vula e PD nuk vlen. Vetë e kanë thënë që Vula ska rëndësi.

Latest articles

Related articles