Nga Namir Lapardhaja
Është naivitet të kërkosh dhe shpresosh ikjen e Saliut. Të ishte për të ikur, ai nuk kishte ‘ardhur’. Ndaj mos prisni të ikë ai, por ikni ju prej tij.
Kërkohet reflektim, thonë. Dakort! Mos prisni të reflektojë Saliu apo shpura e verbër rreth tij, por reflektoni ju përpara se humbja e zgjedhjeve vendore e 2023-shit të duket lule përpara humbjes së zgjedhjeve të vitit 2025.
Duhet ndryshim, shkruajnë. Në rregull, mirëpo mos prisni të ndryshojë Saliu në moshën 80-vjeçare, por ndryshoni ju, duke u bërë burra për herë të parë në jetën tuaj me qëndrime të qarta politike.
Ata që i frikësoheshin linçimit dhe ishin në presion nga dhuna verbale, por edhe ndonjë që ka menduar në mënyrë naive se Doktori është i fortë politikisht, duhet ta dinë se s’ka ç’ju bën më, o frikacakër që si minjtë keni menduar macen kafshën më të egër të pyllit.
Siç e kemi thënë, por, mbi të gjitha, siç e treguan edhe këto zgjedhje vendore, Sali Berisha është një kalë që nuk tërheq më, ndërsa cikli i tij është mbyllur përfundimisht. Çdo ditë që kalon vetëm se do ta thajë edhe më shumë moçalin e tij politikë, ndaj mos kërkoni armiq për dështimin tuaj, sepse atë e keni në krye. Ai është armiku i vetes dhe i juaji në këto zgjedhje dhe në çfarëdo zgjedhje në të ardhmen për sa kohë që ai apo ndonjë delfin i tij do jetë në krye të grupacionit tuaj.
Sa më shpejt të reflektoni dhe të distancoheni prej tij, aq më mirë do jetë për ju. Çdo dalje e tij në ekran, çdo deklaratë e tij nga foltorja, çdo fjalë që ai nxjerr nga goja vetëm se largon vota dhe vetëm se shton shqiptarët që do t’ju votojnë kundër në të ardhmen ose do të abstenojnë, duke mos vajtur fare në votime. Ndaj kushdo që investohet për t’u bërë zgjatim i tij, nuk bën gjë tjetër vetëm se mban opozitën larg pushtetit, ndërsa qeverinë në pushtet.
Mos ofshani kafeneve dhe tavolinave, por thjesht distancohuni dhe bëni betejat tuaja politike.
Hallin e Saliut edhe sikur të donim, nuk kemi mundësi t’ia zgjidhim, por halli i tij personal nuk mund të mbajë peng rotacionin dhe ndryshimin që kërkon vendi. Pas këtyre zgjedhjeve nuk është më çështje subjektive, por perspektive. Nuk është më opinion, por fakt i pamohueshëm.