Enkelejd Alibeaj
është bir i një familjeje të degdisur në internim nga Enver Hoxha. Nip i Isa Toskës, komandant i Ballit Kombëtar. Është rritur në kamp internimi.
Atij i ra barra e rëndë të drejtojë PD në moment traume e sulmi nga katër anët. I ra duke qenë i patrajnuar për situata të tilla.
U përball me akuzat monstruoze tipike të stilit të një sekretari komunist: I shitur, peng, tradhëtar. U tentua t’i denigrohej mbiemri duke ia bërë “Alibasha”, edhe kjo tipike e bashkimxhinjve (komunistëve të viteve 1920), stil i cili synon depersonalizimin e njeriut, nëpërmjet shtrëmbërimit të mbiemrit.
Alibeaj nuk ka karizëm populiste. Është shkolluar për gjyqtar. Nuk është trajnuar për të qenë udhëheqës kryesor dhe, prandaj edhe pati disa probleme në menaxhimin e situatës. Nga ana tjetër paralel me ketë, dëshmoi se edhe di të merret vesh si burrat dhe e pranon arsyen.
Gjithsesi ka një meritë: qëndresën. Nuk u përkul përballë batares dhe trysnisë së një mekanizmi mega-monstër që synon të përbaltë cilindo. Nuk u thye psikologjikisht, edhe kur ish-sekretari i partisë e shtyu me duar në foltore, siç regjimi i Partisë së Punës shtyu familjen e tij.
Alibeaj, sidoqoftë e çfarëdo plus-minusesh pastë, është një bir i Të Djathtës Shqiptare. Njerëzit mos i gjykoni nga çfarë thotë mega-monstra për ta.
Respekt z.Alibeaj për kontributin në nivel kryetari në momentet më të vështira politike.
Nga Indrit Vokshi