CEO: Inteligjenca artificiale mund të manipulojë zgjedhjet në SHBA, rreziku shtohet edhe në Europë

Një vit para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në SHBA shfaqet në horizont rreziku i manipulimit të garës me inteligjencë artificiale. Sam Altman, shef ekzekutiv i kompanisë OpenAI para një komiteti të Senatit të SHBA-së tha se është thelbësor vendosja e rregullave për inteligjencën artificiale.

CEO i OPEN AI , SAMUEL ALTMAN: Frika ime është se ne po shkaktojmë dëm të konsiderueshëm në  fusha, si teknologjia. OpenAi është krijuar me besimin se inteligjenca artificiale ka potencial për të përmirësuar pothuajse çdo aspekt të jetës sonë, por po ashtu krijon rreziqe serioze.Mendoj se nëse kjo teknologji shkon keq, mund të sjellë pasoja të rënda.  Ne duam të punojmë me qeverinë për të parandaluar që kjo të ndodhë. 

Vetë Altman vuri në dukje mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme të 2024 nëpërmjet kësaj teknologjie. CEO i OpenAi u shpreh se qeveria amerikane mund të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së kushteve të licencimit dhe testimit para se të nxirren në treg modele të fuqishme të inteligjencës artificiale dhe autoritetet të kenë edhe fuqinë që të heqin licencat e operimit nëse shkelen rregullat.

Ligjvënësit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet e inteligjencës artificiale, teksa senatori amerikan, Richard Blumenthal, hapi seancën me një zë të zhvilluar nga kompjuteri, që tingëllonte jashtëzakonisht ngjashëm me zërin e tij.

Kjo thirrje vjen teksa thellohen ndarjet politike të cilat për vite me radhë kanë bërë që të bllokohet legjislacioni që synon të vendosë rregulla për internetin. Por, qeveritë në mbarë botën janë nën presion që të veprojnë shpejt pas daljes në treg të inteligjencës artificial të hapur, që mund të prodhojë përmbajtje të ngjashme me njeriun, gjë që po shkakton edhe frikë në mesin e përdoruesve.

Evropa veçse ka nisur punën për legjislacionin për inteligjencën artificiale, që pritet të hidhet në votim muajin e ardhshëm në Parlamentin Evropian. Nëse miratohet, në BE mund të ndalohen sistemet e inteligjencës artificiale që bëjnë vëzhgime biometrike apo që kanë aftësi për të njohur emocionet.

Latest articles

Related articles