Brenda fitores masive të socialistëve në këto zgjedhje, disa prej kandidatëve kanë shënuar rekorde elektorale.
I pari është kryebashkiaku Veliaj, i cili në garën për mandatin e tretë arriti një diferencë votash me gati 58 mijë vota më shumë se Belind Këlliçi. Ky avantazh është sa e gjithë popullsia e Gjirokastrës.
Rekordi tjetër që ka për tu mbajtur mend gjatë në historinë e zgjedhjeve dhe te politikes është fitorja me 60 përqind e Benet Becit në Shkodër, bashkinë ku të majtët nuk kishin fituar asnjëherë në 30 vite.
Kryesocialisti Edi Rama e ka pagëzuar kryebashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçin si njeriun e fitoreve publicitare. Një të tillë ka realizuar edhe në 14 maj, duke u renditur si kandidati më i votuar socialist me 82.67 %.
Kjo është lista e ‘Top 10’ kandidatëve socialist më të votuar, ku si i dyti renditet fituesi bashkisë Dropull Dhimitraq Toli me 81.25 % pasuar nga Adriatik Zotkaj në Poliçan dhe Alma Hoxha në Përmet.
Në konkurrimin e tij të parë politik Maringlen Disha me fitoren e Librazhdit, 74.45% është futur në listën e ‘Top 10’ më të votuarëve pasuar nga Blerim Shera në Vorë dhe Andis Salla në Cërrik.
Pasi la kostumin e diplomatit, edhe Ermal Dredha në Vlorë arriti fitoren me 70.55% duke u renditur i teti në Top Listën e më të votuarëve socialistë.
Flamur Golemi në Gjirokastër dhe Fation Duro në Patos edhe ata renditen në top 10 më të votuarit. Megjithëse konsiderohet si kryeqyteti socialistëve Armando Subashi nuk mundi të jetë në 10-tshen e kandidatëve më të votuar.
Sakaq paçka se fituan mandatet si kryebashkiakë duke mos arritur kuotën e 50 % të votave, katër më pak të votuar prej kandidatëve socialist renditen Klement Ndoni në Këlcyrë, Safet Gjici në Kukës, Qerim Ismailaj në Mallakastër dhe Kreshnik Hajdari në Kuçovë.