Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit famëkeq mercenar “Wagner”, i ofroi qeverisë ukrainase të zbulonte pozicionin e ushtarëve rusë, raportoi Washington Post, duke cituar dokumente të inteligjencës amerikane.
Megjithatë, siç shkruan “Washington Post”, duke cituar burime të Pentagonit, Prigozhin në janar, në këmbim të tërheqjes së qetë të forcave të tij nga fusha e betejës në atë qytet, i ofroi shërbimit të inteligjencës ukrainase të zbulonte pozicionet e forcave ruse, por Ukraina refuzoi atë ofertë.
Prigozhin, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, kërcënoi publikisht se do të tërhiqte mercenarët e tij nga zona përreth Bakhmutit nëse nuk merrnin municionet e nevojshme. Ai tha në një mesazh audio të martën se ai dhe njerëzit e tij do të konsideroheshin tradhtarë nëse largoheshin nga zona.
Oferta e Prigozhin erdhi përmes kontakteve të tij me shërbimin e inteligjencës ukrainase. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi raportin, i cili bazohet në dokumentet e klasifikuara amerikane të zbuluara në platformën e bisedave të grupit Discord.
Autoritetet në Moskë njoftuan sot se dy kolonelë të ushtrisë ruse vdiqën në frontin e Ukrainës. Luftimet janë intensifikuar ditët e fundit, me Moskën që pretendon se ka zmbrapsur një sulm ukrainas në një vijë fronti 95 kilometra në lindje të vendit. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjatë ditës së fundit, “armiku bëri një përpjekje masive për të thyer mbrojtjen e ushtarëve rusë, në veri dhe në jug të Bakhmutit”, transmeton Beta. Të gjitha sulmet u zmbrapsën, shtuan autoritetet ruse në njoftim.