Në një fjalim para Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski bëri thirrje për krijimin e një gjykate të posaçme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për pushtimin e saj në Ukrainë.
Udhëheqësi ukrainas mbërriti në Holandë të mërkurën vonë pasi ishte në Finlandë më herët gjatë ditës për të marrë pjesë në një samit me liderët e pesë vendeve nordike.
Gjykata Ndërkombëtare Penale në mars lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin për akuzat për krime lufte që përfshinin deportimin dhe transferimin e supozuar të fëmijëve nga Ukraina në Rusi.
Ndërsa në Moskë ka pretendime për një sulm me dron ukrainas ndaj Kremlinit.
Materialet video të sulmit të supozuar me dron në Kremlin u shfaqën në rrjetet sociale dhe Moska zyrtare tha se Kievi u përpoq të përdorte dron për të sulmuar rezidencën e Vladimir Putin.
Kremlini beson se këto veprime janë një akt i planifikuar terrorist dhe një përpjekje për të vrarë presidentin në prag të Ditës së Fitores dhe paradës më 9 maj. Ajo që është shqetësuese është fakti se shërbimi për shtyp i Kremlinit thekson se Rusia rezervon të drejtën t’u përgjigjet veprimeve të tilla, “kur dhe si të dojë”.
Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) thotë se Moska mund të përdorë sulmin ndaj Kremlinit, për të cilin thotë se ishte “ndoshta” i orkestruar nga Rusia, për të kufizuar ose anuluar ngjarjet e Ditës së Fitores më 9 maj.
Ish-kryeministri rus Mikhail Kasykanov, i cili e mbajti postin gjatë mandatit të parë presidencial të Vladimir Putin, nga viti 2000 deri në vitin 2004, beson se sulmi i djeshëm në Kremlin ishte një “operacion i organizuar”. Në një intervistë për Sky News, Kasyanov tha se Rusia e organizoi sulmin për të inkurajuar qytetarët që të regjistrohen në forcat e armatosura ruse.
Sulmi me dron i Kievit në Kremlin, i udhëhequr nga SHBA dhe i miratuar nga udhëheqja e BE-së, do të çojë në një përshkallëzim të konfliktit. tha sot zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitri Medvedev.
Shtëpia e Bardhë mohon përfshirjen në sulm, BE-ja është e shqetësuar dhe i kërkon Moskës “të mos e përdorë sulmin për të përshkallëzuar konfliktin”, dhe Moska thotë se ata që janë përgjegjës për sulmin në Kremlin do të “dënohen rëndë”.