Habeas Corpus. Apo Themeli i Dashurisë për Amerikën

Të gjithë, herët a vonë, janë të detyruar të bëjnë zgjedhjen e tyre në jetë. Zgjedhje të cilat kushtëzohen nga eksperiencat e jetës, trashëgimia familjare, arsimi, interesat personale e kështu me radhë.
Një pjesë e vogël njerëzish influencohen edhe nga aftësitë e tyre për të patur nje gjykim kritik mes alternativave që shtrohen për zgjedhje, e që kërkojnë zgjidhje.
Që në krye të herës, kur u detyrova të zgjidhja, zgjedhja ime ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asokohe, ishte një zgjedhje instiktive e deri diku e pabazuar në njohjen e mirfilltë të asaj qe Shtetet e Bashkuara ishin në të vërtetë, pasi nuk kisha informacion rreal mbi të cilin të bazoja zgjedhjen time. Por duke parë që Amerika ishte armiku më i madh, kërcënimi i të cilit trumbetohesh cdo dite nga rregjimi komunist, ishte mëse e mjaftueshme që të bëja zgjedhjen time, e të isha me të.
E gjitha kjo ndodhte rrelativisht lehtë. Pasi kontrasti politik ishte i theksuar e lejtmotivi i tij ishte shumë primitiv. Gjithcka fillonte e mbaronte me nje parrullë të hedhur nga komunistët. O me ne, o kundra nesh. E për një sërë arsyesh të lartpërmendura kisha zgjedhur të isha kundra tyre.
Koha kalon për të gjithë. E tek të gjithë lë shenjat e saj, që nuk janë vetëm rudhat e fytyrës, por edhe plagët e shpirtit, që bëjnë pjesë në cmimin që duhet të paguash për zgjedhjet e tua në jetë, pasi gjithcka ndodh nën efektin e shkak pasojës.
Nuk e fus vehten në kategorinë e atyre që pretendojnë se shoqëria apo sistemi u ka borxhe të trashëguara, pasi jam i vetëdijshëm që zgjedhjet e mia në jetë janë thjesht të miat. E jeta më ka mësuar të përballem me konseguencat që ato pashmangshmërisht sjellin. Me pak fjalë më pëlqen të shoh të nderuar e të rrespektuar të vërtetën, e jo individë që duhet, e i shërbejnë asaj.
Duke dashur të rikthehem tek zgjedhja ime, të cilës i qëndroj edhe sot e kurdoherë, më duhet të them se përse është e tillë. E mbi të gjitha të shpjegoj vlerën e idesë që ajo mbart.
Liria është një term që duhet kontestualizuar: për cfarë lirie flasim? Si duhet ushtruar ajo? Cilët janë kufijtë e përkufizimi I saj?
Pyetje këto të fundit, që qytetërimi i hemisferës perëndimore ka kërkuar ti japë përgjigje, të cilat shpesh kanë qënë pre e demagogjisë libertine, ku shkatërrimit të gjithckaje i vishej petku i lirisë kolektive. Shtrohet pyetja: A mund të egzistojë liria kolektive kur individi jeton i pa shpresë nën zgjedhën e demagogjise se idiomës: Liri, Barazi, Vllazërim? Clidhje ka, a mund të ketë barazia e vllazëria me lirinë? Si mund të jemi të barabartë e njëkohësisht të lirë, kur Krijuesi, natyra apo universi nuk na ka krijuar të tillë?
I gjithë ky lesh e li demagogjik që lindi me Revolucionin Francez nuk bëri tjetër vec shtoi hamullinë e verbërisë kolektive, që në dy shekujt e shkuar i kushtoi aq gjak e dhimbje Evropës mbarë.
E megjithatë, këtu kemi një ndarje të qartë mes fatit të popujve latine e teutonikë, e atyre anglisht folës. Ndarje konceptuale e qartë dhe e thjeshtë si e Vërteta e madhe.
“Habeas Corpus”. Ishte ky ligj mesjetar i Mbretërisë së Bashkuar, në fuqi akoma e sot, fale conceptit të precedentit ligjor, te Common Law, ai që bëri të mundur lindjen e Shteteve të Bashkuara, dhe pararendësi i cdo ligji mbi të cilin qëndrojnë liritë e individit. Dhe ky është thelbi i lirisë.
Për të qënë i besueshëm, mashtrimi mundohet të veshë petkun e së vërtetës, por përjashton thelbin e saj. Ashtu sic bëri Revolucioni Francez, e cdo revolucion tjetër pas tij. Duke propaganduar liritë e njeriut në shumës, e duke shtypur e lënë në heshtje idenë fisnike të Habeas Corpus, që e shnderruar në ligj, sanksionon, njeh dhe mbron, paprekshmërinë e individit përballë revanshit të padrejtësive të pushtetit.
Fuqia e pandërprerë e këtij ligji, është baza e lirisë Amerikane. Është ky ligj i thjeshtë mesjetar mbi të cilin qëndron simboli i lirisë Amerikane dhe fuqia e modelit të ngritur mbi ide, e jo individë të plotfuqishëm mbi jetën e të tjerëve.
Nëse dje, dashuria ime për Amerikën ishte e kushtëzuar vetëm nga fakti që ishte kundërshtare e komunizmit, sot ajo është një dashuri e pakushtëzuar, bazuar në idenë e rrespektit dhe konsideratës për të drejtat dhe liritë e individit, që ajo ka patur dhe ka si themel të egzistencës së saj.
Ndryshe nga cdo vënd tjetër I botës që është ndërtuar e funksionon në bazë recetash sociale, Amerika egziston e funksionon si superfuqi e idesë së patjetërsueshme, që individi është krijuar, e jeton i lire, bazuar në shëmbëllimin e tij me krijuesin. Fakt i cili e bën edhe atë të shenjtë.
Thënë këto, pohoj përpara Zotit, se kush është kundër Shteteve Të Bashkuara te Amerikës, dhe Mbretërisë së Bashkuar, është kundër të drejtave të individit, kategori të cilës i përkas, ndaj nuk mund të pajtohem me ta, kushdo ata qofshin.
Edhe kësaj here bëra zgjedhjen time. Vecse këtë radhë nuk ishte më e verbër, apo e kushtezuar nga kundershtia instiktive ndaj së keqes, por e bazuar në vetëdijen e pastër që Amerika është ideja e lirise. Ide e cila do të mbijetojë bashkë me njeriun. Administratat vene e vijne, njeriu po ashtu. Ideja mbetet, bashkë me aspiratën për ta mbrojtur, e për ta parë të rrealizuar.
Gjergj Hani

Latest articles

Related articles