Zbardhen pamjet filmike, Edmond Haxhia u filmua me grupin e vrasësve në Rinas

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë në Rinas kanë zbuluar lidhjen e Edmond Haxhisë me grupin e vrasësve që ekzekutuan Ardian Nikulajn, ngjarje e ndodhur më 19 prill. Siç raportohet, portugezi dhe 4 britanikët kanë zbritur në Rinas ku i priste Haxhia, kushëriri i vëllezërve Lestakaj që akuzohet si personi që ka organizuar dhe financuar vrasjen e Nikulajt.

Haxhia është filmuar duke i pritur në një lokal disa metra larg aeroportit, në një zonë jo me shumë ndriçim. Kamera e sigurisë ka regjistruar momentin kur ai është bërë bashkë me grupin dhe janë nisur drejt Lezhës.

Vrasja e Nikulajt u zbardh një ditë më parë. Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku njoftoi se gjithçka ishte planifikuar nga vëllezërit Lestakaj, me të cilët Nikulaj ishte në hasmëri që prej vitit 1997. Dyshohet se Lestakajt kishin paguar një skuadër të huajsh për të ardhur për të kryer vrasjen. Sipas të dhënave të PSH-së, në rolin e ekzekutorit ishte portugezi Ruben Saraiva, ndërsa katër britanikë ishin vëzhgues. Ata janë identifikuar si: Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. I gjithë ekipi menaxhohej nga Edmond Haxhia, djali i dajës i vëllezërve Lestakaj. Por, deri më tani asnjë prej të përfshirëve nuk janë arrestuar. Të gjithë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet destinacioni i tyre. Nga ana tjetër, vetë vëllezërit Lestakaj ndodhen në Britaninë e Madhe.

Latest articles

Related articles