Drejtoria e Policisë Fier ka reaguar pas denoncimit të deputetit Luan Baçi që nxori një punonjës të bashkisë Patos, Bato Dalipaj i cili denoncoi se e kishte dhunuar shefi i ndërmarrjes Petrit Pëllumbi pasi nuk kishte plotësuar formularin për votat e sigurta që i garanton Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 Majit. Policia thotë se punonjësit po i merret dëshmia lidhur me ngjarjen.
“Rreth orës 16:10, shtetasi Bato Dalipaj 55 vjeç (punonjës i ndërmarrjes së komunales, bashkia Patos), është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, për të bërë kallëzim, duke pretenduar se në ambientet e punës, eprori i tij, shtetasi Petrit Pëllumbi ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për shkak nuk ka pranuar të plotësojë një formular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe në prani të oficerëve të Policisë Gjyqësore, shtetasit Bato Dalipaj po i merret dëshmia në lidhje me rrethanat e ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet procedurale.
Ndërkohë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.