Teknikën “Përçaj e sundo”, LSI e ka përshtatur në “Përçaj e përfito”

Nga Av. Besart Logu

Është fakt tashmë përplasja mes demokratëve për shkak të lëvizjes së Berishës për Rithemelimin e PD. Duke qenë se nuk mundi të marrë legjitimitetin e drejtuesit të partisë, bëri që të futet në marrëveshje me Ilir Metajn duke shfrytëzuar hapësirat që të jep ligji zgjedhor për koalicionet.

Duhet thënë se; aleancat politike përgjithësisht janë bashkime të sforcuara të partive apo grupimeve partiake në periudhën parazgjedhore dhe që pas mbarimit të zgjedhjeve pothuaj nuk funksionojnë. Kjo sepse koalicionet ngrihen mbi interesat pragmatiste të palëve dhe aspak mbi parime apo çështje programore. Kur bëhet fjalë për LSI dhe Ilir Metajn, padiskutim që merr më shumë kuptim. Është shembulli më i qartë dhe modeli i politikës shqiptare për trafikimin e votave nga njëri kamp në tjetrin. Në 2009 mori votat e socialistëve dhe i vuri në shërbim të pushtetit të PD dhe në 2013/2017 votat e demokratëve në shërbim të pushtetit të PS.

Nesër, me sforco apo jo, PD do të bashkohet. Por, pushteti i LSI në këshilla bashkiakë, i marrë me vota demokratësh, do të mbetet i pandryshuar për katër vitet e ardhëshme. Prandaj, vota duhet peshuar mirë para se të shprehet vullneti.

Partia Demokratike dhe kandidatët e djathtë duhet të dalin fitues, si për kryetar bashkie ashtu dhe për këshilla bashkiak.

Imagjinoni për një moment kuvendin përbashkues të PD. Si do ta shohim njëri-tjetrin në sy kur LSI të shkojë sërisht te Edi Rama?! Si do ta zhbëjmë votën e hedhur me mllef?!

Mendoni zgjedhjet e 2025 kur të jeni para fletës së votimit. PS-LSI do ti kemi sërish përballë. Ilir Metajn të fuqizuar nga votat e demokratëve ndërsa Edi Ramën të relaksuar se fitoi bashkitë në kulmin e rënies së tij për shkak të përçarjes po të demokratëve.

Latest articles

Related articles