“Dhe rrugëve të atdheut Si kukuvajka nën hënë, Leh dhe ulërin “Gazi” 69”

B.Xhaferri
*
Është ndarë nga jeta dje motra e shkrimtarit Bilal Xhaferi, Antika Hoxha. Ajo nuk u ndal për vite me radhë që t’u tregonte shqiptarëve kush ishte në të vërtetë shkrimtari i madh me origjinë nga krahina e Çamërisë.

Antika Hoxha lindi në Ninat dhe ishte motra e vogël e shkrimtarit Bilal Xhaferri. Gjithë jetën e saj ja kushtoi çuarjes në vend të amanetit për të publikuar kolanën e shkrimeve të vëllait të saj.

Me këmbëngulje të jashtëzakonshme, pas vitit 1991, ajo solli nga SHBA eshtrat shkrimtarit Bilal Xhaferi për t’u prehur në atdhe, aty ku sot ndodhet edhe shtatorja e Bilal Xhaferit, në Bulevardin e Sarandës.

Gjithashtu, ajo rindërtoi shtëpinë e Bilal Xhaferit në Ninat, për ta shndërruar në muze dhe destinacion turistik e kulturor.

Lamtumirë e u prefsh në paqe, Antika!

*

Bilal Xhaferri

BALADE ÇAME

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

*

Pse e eleminoi Sigurimi i Shtetit shkrimtarin Bilal Xhaferri?

Nga historiani Hasan Bello

Bilal Xhaferri është nga të pakëtat figura, publicistika e të cilit, për regjimin komunist u kthye në makth. Arratisja e tij në vitin 1969 drejt Greqisë, për t`u vendosur më pas në SHBA, ndiqej me kujdes nga agjentët dhe diplomatët e kohës. Kjo jo vetëm për shkak të talentit, por edhe të artikujve kritikë që ai do të botonte në gazetën “Dielli” dhe 39 numrat e revistës “Krahu i shqiponjës”, në gjuhën shqipe dhe angleze.

Në qershor të 1978-ës, në një shkrim të Bilal Xhaferit në gazetën “Dielli”, ndër të tjera thuhet se: “Shqiptarët në Shqipëri janë të shtypur prandaj “Vatra” në radhë të parë duhet të bëjë detyrën dhe të luftojë për vëllezërit e shtypur në Shqipëri dhe për më tepër që janë të robëruar nga të huajt”. Më poshtë vazhdon: “Të organizojmë e dalim përpara me demonstrata masive për të treguar padrejtësitë që na bëhen, të organizojmë përfaqësira për të bërë protesta të vazhdueshme pranë atyre që kanë në dorë fatet e botës”. “Vatra”, – përfundon ai, – këtë duhet ta bëjë më mirë se kushdo tjetër”. Ky dhe të tjerë artikuj lidhur me masat shtypëse brenda vendit dhe politikën e jashtme krejtësisht të gabuar të shtetit shqiptar, bëri që për drejtuesit e kohës Bilal Xhaferri të konsiderohej një zë i fuqishëm, i pakompromentueshëm dhe tejmase problematik. Prandaj drejtuesit e shtetit komunist dhe Sigurimit të Shtetit morën të gjitha masat, fillimisht për ta izoluar nga pjesa tjetër e shoqatave, organizatave dhe partive politike të emigracionit politik shqiptar. Kjo konstatohet dhe nga angazhimi që, sipas dokumetacionit, Sigurimi i Shtetit mori në kuvendin e organizatës patriotike të shqiptarëve të SHBA-së, “Vatra”, i cili do të mbahej në shtator të 1985. Sipas planit operativ, Bilal Xhaferri duhej të pengohej me të gjitha format për tu zgjedhur si redaktor i gazetës “Dielli”.

Por megjithë makinacionet dhe intrigat e tyre, Bilal Xhaferri nuk heshti. Ai vijoi të shkruante dhe fliste kundër regjimit. Për këtë arsye, më 14 tetor 1986, ai vdiq në Çikago, në rrethana misterioze pas një operacioni në tru. Në raportin e spitalit shkruhej se Bilali ishte gjendur i vdekur, ndërsa të gjitha aparatet që e kontrollonin dhe e mbanin gjallë ishin të hequra dhe plaga e operacionit i kullonte gjak. A ishte Bilali në gjendje t’i kryente këto veprime? Apo të gjitha këto ndodhën me “ndihmën” e dikujt?

Nga Sebastian Zonja

Latest articles

Related articles