Ish i përndjekuri politik Gjergj Hani apel: Antikomunistët të votojnë PD. Ora e së vërtetës

Të kesh qënë i burgosur politik gjate diktaturës Hoxhiste, dhe të kesh dale i gjallë prej aty, do të thotë të kesh bërë një giro të plotë në rrathët e ferrit. Mund të thuash pa frikë se ke parë limitet e forcës, dobësisë, ligësisë dhe fisnikërisë njerzore të shpalosen pa mëshirë, përtej së mirës e së keqes, ashtu sic di ti shpalosë vetëm e vërteta lakuriq.
Pikërisht këtu qëndron ndryshimi mes konceptit masovik të turmës që ndjek cobanin e saj edhe kur e con në thertore, dhe shpirtërave të lirë që bëjnë zgjedhjen e tyre individuale të vetëdijshëm për cmimin e përgjakshëm që duhet të paguajnë kur zgjedhin të përballen me të keqen.
Koha me iluzionin e rrjedhjes së saj, na krijon përshtypjen e pavërtetë se gjërat ndryshojnë. Kur në të vërtetë asgjë nuk ndryshon, po nuk hape sytë e shpirtit të cilët të japin kurajon të pranosh të vërtetën e hidhur që; Për aq kohë sa do të përpiqesh të gënjesh vehten, rrealiteti do të gënjejë ty.
Kjo është një gjëndje qartësie që nuk do ta gjesh kurrë në teorinë e vlerës së numrave, që në thelb nuk kanë pasur kurrë të bëjnë me të vërtetën e moralin. Pasi të dyja këto virtyte janë shprehje të zgjedhjeve individuale, e për të cilat duhet të paguash. Ndaj të mbetet ty të vendosësh.
Thënë kjo, për të gjithë ata që zgjodhën të përballeshin me kolerën e kuqe, dhe të kalonin kalvarin e dhimbjes dhe vuajtjeve, pluralizmi i fillim viteve ’90 nuk solli rivendosjen e dinjitetit të tyre, e aq më pak atë të së vërtetave historike, që ashtu, të lëna qëllimisht në heshtje kërkojnë shpagim. E të mos harrojmë. Nëse jemi në pluralizëm, është edhe falë meritës e sakrificës së këtyre njerzve.
Jo vetëm kaq. Disidentët e komunizmit sot janë akoma dhe më të indinjuar për mungesën e moralit, koherencës, e drejtësisë, kur shikojnë xhelatët e tyre, dhe komunistët në pushtet e në arenën politike. E që sot janë jo vetëm majtas, por edhe mes atyre që hiqen si të djathtë.
Për ne kjo është e pa pranueshme. Për ne kjo është e barazvlevshme me një burgosje të dytë.
Ndonëse kanë kaluar 32 vjet, politika shqiptare vazhdon të drejtohet nga komunistë që të tillë kanë mbetur në mentalitet, fjalor, e sjellje. E që strehën e tyre identitare e gjejnë në hije partish, si Partia e Lirisë, që drejtohen nga komunistë e bashkëpuntorë të ish sigurimit famëkeq të shtetit.
Sot pas 32 vitesh, politika shqiptare nuk është dekomunistizuar. Sot pas 32 vitesh, komunistët vazhdojnë ende të qeverisin.
Dua të përgëzoj z. Alibeaj, për disa nisma ligjore që ka ndërrmarë në këtë drejtim, por jam i vetëdijshëm se do ta ketë shumë të vështirë për ta arritur këtë qëllim, pasi në politikën shqiptare komunistët vazhdojnë ende të dominojnë.
Megjithatë, ai dhe ne nuk duhet të heqim dorë. Kohët e vështira kanë nevojë për njerëz të vetëdijshëm e të vendosur në misionin e Partisë Demokratike, që e ka për detyrë egzistenciale dekomunistizimin e shoqërisë.
Historinë e bën bashkësia e individëve të kohezuar rreth vlerave, e jo anonimati i turmës së numurave hipotetikë.
E verteta është aty e pret ta shohim. E mbi të gjitha ka lluksin të presë ta pranojmë për atë që është, e pa kompromis. Ndaj sot jemi këtu e mbështesim Partinë Demokratike, pasi na duhet ta ringremë sërish si parti antikomuniste e pa komunistë brënda saj. Na duhet të rigremë një Parti Demokratike të vlerave perëndimore, aleate të perëndimit e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qënë aspirate dhe ëndërra e shqiptarëve. E të gjithve ne. Ne nuk mund të pranojmë një PD në konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me perëndimin.
Kjo është e pa imagjinueshme. Nuk mund të ndodhë, cfardo që të ndodhë.
Kjo parti lindi si parti antikomuniste dhe pro Amerikane. Është gjeneza e saj, dhe misioni i saj historik, dhe ne nuk do ta pranojmë të kundërtën, pasi do të mohonim vetvehten. Sot unë, e shumë prej nesh, jemi këtu dhe mbështesim Partinë Demokratike dhe z. Bejko sepse ja njohim vlerat, njohim vizionin e tij perëndimor, njohim bindjet e tij perëndimore, e antikomuniste. Jemi këtu, unë e ti, pasi besojmë se Shqipëria dhe Tirana, kanë nevojë për memorien që do të konkretizohet me ngritjen e muzeut dhe monumentit në nder të horojve të antikomunizmit në Tiranë. Disidenca antikomuniste e meriton një muze të tillë. Historia e Shqipërisë e meriton një monument të tillë. Është në nderin e Tiranës dhe kombit ta ketë një muze të krimeve e viktimave të komunizmit, që të rizgjojë memorien e së shkuarës, në mënyrë që e ardhmja e jonë të mos përballet më, me cka i përket faqeve më të zeza të historisë së saj. Jam I bindur se z. Bejko do ta përmbushë këtë detyrë, që në të vërtetë është një borxh ndaj historisë, memories së kombit, e brezave që do lëmë pas.
Zoti bekoftë shqiptarët. Rroftë Partia Demokratike.

Gjergj Hani

Latest articles

Related articles