Prangoset Ramazan Rraja, i shumëkërkuar nga Policia

Ramazan Rraja, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja është vënë në pranga këtë mbrëmje. Mësohet se Rraja është arrestuar në Urën e Gjolës këtë pasdite. Gjatë kontrollit që iu bë, Rrajës i është gjetur dhe një armë zjarri. Ai ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur si Rrumbu i Shijakut, ngjarje në të cilën mbeti i vrarë shoferi i prokurorit, Andi Maloku.

Ramazan Rraja u shpall në kërkim zyrtarisht pas dëshmisë së dhënë nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili rrëfeu se pas ngjarjes së ndodhur më 1 nëntor të vitit 2021 qëndronte grupi i Plarent Dervishajt. Pas dëshmisë u organizuar dhe operacioni nga SPAK që u finalizua më 20 janar të këtij me 5 të arrestuar dhe katër të shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit “Komploti” u arrestuan Genti Nerjaku alias Akil Nerjaku, 40 vjeç, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, 38 vjeç, agjent doganor (i afërm i Plarent Dervishaj), Endrit Sinani, 29 vjeç, Julian Pjetri, 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija, 54 vjeç. Në kërkim u shpallën Plarent Dervishaj që tashmë ndodhet në Dubai, bashkë me Julian Meçen dhe Ramazan Rraja që u prangos sot.

Por si ndodhi atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja?

Më 1 nëntor të vitit 2019, rreth orës 16:30 të pasdites, makina ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut, një tregtar dhe i afërm i ish-prokurorit) dhe në përdorim nga prokurori Ndoj, u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Ndoj ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur. Vetë Ndoj ia doli që t’i mbijetonte plagëve të marra, ndërsa Aleksandër Laho mori lëndime më të lehta.

Sipas hetimeve, atentatorët kanë qenë dy dhe kanë qëlluar me dy armë të ndryshme, njëri ishte Redjan Rraja dhe bashkëpunëtori i tij ishte Arjol Halilaj, të cilët pasi qëlluan shkuan në Ishëm, ku edhe dogjën mjetin me të cilin po qarkullonin në momentin e vrasjes. Por brenda ndodheshin dy armët e përdorura në këtë atentat, përkatësisht dy kallashnikovë AK-47. Dosja.al ka raportuar më parë se emri i Halilajt ka dalë nga telefoni që iu sekuestrua Redjan Rrajës pas arrestimit. Por thelbësore kanë qenë edhe shenjat e gishtave të Halilajt, që janë gjetur në mjetin që u përdor në krim. Përputhja e ADN-së me mbetjet biologjike ka bërë që Halilaj të vihet në pranga.

Dy të pandehurit Rraja dhe Halilaj akuzohen për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe grup i strukturuar kriminal. Megjithatë asnjë prej tyre nuk e ka pranuar akuzën, duke u deklaruar të pafajshëm.

Latest articles

Related articles