Oksidenti aleancë për energjinë bërthamore: Do përjashtojmë Rusinë nga tregjet ndërkombëtare

Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Japonia dhe Franca kanë krijuar midis tyre aleancën për të zhvilluar furnizimin për lëndën e parë që mundëson prodhimin e energjisë bërthamore.

Ky vendim është bërë i ditur gjatë takimeve të zyrtarëve të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të G7-së që synon të përjashtojë Rusinë prej tregjeve ndërkombëtare të energjisë bërthamore.

Shtetet e sipërpërmendura do të shfrytëzojnë sektorët e tyre bërthamorë për të minuar rolin e Rusisë në zinxhirin e furnizimit. Sipas tyre, kjo aleancë synon që t’ia bëjë të pamundur presidentit rus, Vladimir Putin, financimin e luftës në Ukrainë, transmeton Deutsche Welle.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë në krye të përpjekjeve globale për ta mbështetur Ukrainën, për ta mposhtur [presidentin rus, Vladimir] Putin dhe për të siguruar se as ai, as askush tjetër si ai, të mos mendojnë se mund ta mbajnë botën në grusht, sa i përket energjisë. Ky është hapi i radhës, bashkimi me shtetet tjera, për t’i treguar Putinit se Rusia nuk është e mirëpritur më”, tha sekretari britanik për Energjinë, Grant Shapps.

Latest articles

Related articles