Manovrat e Celibashit me fletën e votimit, Azgan Haklaj: Koalicioni i turpit mbeti pa emër e pa vulë, Meta i tmerruar

Demokrati Azgan Haklaj ka reaguar ashpër për manovrat në KQZ me fletën e votimit. Në formatet që ka publikuar komisioneri Celibashi, koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk e ka emrin e kryetarit. Në fakt ka një përplasje se kush është kreu i këtij koalicioni, ndërkohë që “de jure” është Ilir Meta. Mirëpo edhe pse historikisht në fletën e votimit krah koalicionit është vënë emri i kryetarit të që drejton koalicionin, nuk ka ndodhur kështu këtë vit. Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar Azgan Haklaj, i cili e lidh dhe me vizitën e zyrtarit të DASH, teksa ironizon dyshen Meta-Berisha.
“Koalicioni Bashkë Fitojmë u ankua për vulën, por edhe pasi siguroi tre vula të Metajt, Dules, Nokës tek jeniçeri Celibashi mbeti edhe pa emrin e kryetarit. Populli ka një shprehje të urtë popullore: “Mos të humbët emri”.
Koalicioni Bashkë fitojmë mbeti pa kryetar! Meta i tmerruar nga Eskobari nuk ia dha emrin koalicionit të non gratës! Non grata e justifikoj këtë veprim se Metaj e di se koalicioni me emrin e Metajt nuk merr asnjë votë. Çfarë paradoksi! Pa emër e pa vulë. Koalicioni i turpit Sali Metaj që mbeti anonim pa kryetar kërkon votat e popullit”, shkruan ai. Ndërkohë, kujtojmë se më herët Haklaj deklaroi se figura të rëndësishme të kësaj force politike, kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Haklaj u shpreh se Sali Berisha, duhet të ishte i pranishëm në sallën e Parlamentit për të votuar ligjin për hapjen e dosjeve.“Sot Partia Demokratike është e ndarë, politikisht, juridikisht sepse është në gjykatë, moralisht, filozofikisht dhe në ideologji.
Ndarja e fundit, ideologjikisht, ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë, në votimin për hapjen e plotë të dosjeve të qytetarëve. Nata e së enjtes në Parlament, ishte një ekuinoks politik, tashmë do të ndriçohet se çfarë ka ndodhur edhe gjatë kohës së diktaturës dhe pasojat në neo-diktaturë. Efektet e para po i shohim që tani, po publikohen figura të rëndësishme të politikës shqiptare, të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, të PD-së, disa figura të rëndësishme po dalin bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit”, nënvizoi Haklaj.

Latest articles

Related articles