Koncesionari i Portit të Durrësit çon shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit

– Kompania gjermane EMS Shipping&Trading ka regjistruar një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit ICSID, (Uashington) për shkelje nga ana e shtetit shqiptar në marrëveshjen koncesionare për administrimin e Portit të Durrësit. A2CNN raporton se kompania gjermane e ka dorëzuar këtë padi më 7 prill dhe ankohet për ndërtimin e Portit të Ri, pasi cënohet aktiviteti i tyre aktual.

Kompania gjermane EMS Shipping&Trading ka marrë në administrimin Terminalin Lindor në Portin e Durrësit që prej vitit 2013. Kjo kompani ka të drejtën e operimit për ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve. Kontrata koncesionare me shtetin shqiptar është 35 vite dhe nga mbarimi duhen edhe 25 vite, që rrjedhimisht sjell më shumë para në kërkesën për dëmshpërblim. Fitimi i kompanisë llogaritej në vitin 2021 në 1.3 milionë euro, një shumë që pritet të shumëfishohet nëse Arbitrazhi iu jep të drejtë gjermanëve.

Kjo është padia e radhës për shtetin shqiptar në Arbitrazhin ndërkombëtar. Më herët, Gjykata ka vendosur urdhërimin e ekzekutimit të pagesës prej 110 milionë euro për biznesmenin Francesco Becchetti. Këto vendime kanë bërë që kryeministri Edi Rama të paralajmërojë largimin e Shqipërisë nga ICSID.

Latest articles

Related articles