Paaftësia e PD për të manaxhuar virusin LSI – REDAKSIONALE

Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të këtij viti është më e çuditshme se ajo e katër viteve më parë, kohë kur opozita vendosi të bojkotojë atë. Kësaj radhe skena politike është e mbushur me treshen e tranzicionit që në triumviratin e tyre duan të bëjnë kërcimin e fundit së bashku për t’i treguar SHBA dhe shqiptarëve që ato janë ende më të fortët.

Në këtë prizëm Sali Berisha dhe Ilir Metaj janë bashkuar në një koalicion të përbashkët për t’i treguar sa Partisë Demokratike ashtu dhe ambasadës Amerikane se të dy mund dhe do jenë opozita e vërtetë. Fati i Ilir Metës është shumë i kuptueshëm përderisa ai ka mundur që të shumojë partinë e tij politike vetëm në aleancë me Sali Berishën dhe duke i vendosur atij kollovarë.

Në vitin 2013 partia familjare LSI doli nga koalicioni me Berishën dhe përfitoi 16 deputetë që dolën nga votat e demokratëve që Berisha ia dha me vetëdije dhe dëshirë Metës në pajën e tij qeverisëse. Nuk e kemi të qartë se kush qe arsyeja e kësaj paje të bashkëqeverisjes; nëse Berisha mendoi që Metës i duheshin për të trembur Ramën se largohej nga bashkëqeverisja apo nëse ishin një formë përmes të cilës kërcënohej Lulzim Basha që ishte i përzgjedhuri i tij.

Partia e Metës u bë aq e fuqishme dhe PD u zhvlerësua aq shumë sa që edhe kryebashkiaku i Kukësit, që ishte qarku i vetëm që fitoi PD në 2013, u konvertua me LSI duke shënjuar një nga konvertimet e bujshme të historisë politike në vend.

Thyerja mes Berishës dhe Metës zbuloi shantazhin që i fundit kishte ndaj Doktor Berishës, djalin e këtij të fundit që ia përmendi në një seancë parlamentare. Ky kod mafioz i tregoi shqiptarëve, edhe aq më shumë socialistëve, që Berisha është pengu i përjetshëm i Metës. Vitet në vijim do të tregonin që Meta është gjithashtu pengu i Berishës përmes një dosje që ish presidenti kishte në sigurimin e shtetit.

Për fatin e keq ky raport toksik mes dy figurave politike e ka dëmtuar Partinë Demokratike saqë hemorragjia që ajo pësoi në 2017 do të fuqizonte Metën më shumë duke i dhënë 18 deputetë. Paaftësia e PD për të manaxhuar virusin LSI që ishte futur në sistemin e saj partiak nisi të gërryente këtë forcë politike duke nisur nga elita e saj deri tek baza.

Ironia do të qe se LSI do të zhdukej si forcë politike duke shkuar në katër deputetë në vitin 2021 vetëm pasi Rama e sabotoi atë tërësisht për t’ia marrë votat dhe duke përdorur PSD si një LSI të dytë. Kjo, shkatërroi atë përpjekje të Metës për të uzurpuar opozitën apo Partinë Demokratike përmes LSI-së.

Sot, Partia e Lirisë (emri pas operacioneve të LSI) ka nisur të gërryejë edhe një herë PD-në që ka mbetur me Berishën. Nuk ishte rastësi që njerëzit e tarafit të Sali Berishës ishin në mbështetje të Metës dhe konventës së PL në Pallatin e Sportit Asllan Rusi. As nuk është çudi që kandidati për Tiranën në koalicionin e tyre ishte bedeli që raportonte në 8 Janar tek Ilir Metaj. Prandaj, as listat për Këshill Bashkiak janë pengmarrje që Metaj po përdor për t’u katapultuar në krye të opozitës duke përdorur Doktor Nongratën.

Përmes votës që ai kërkon nga demokratët dëshiron të shkatërrojë Partinë Demokratike dhe të jetë ai kandidati rival për të qenë kryeministër përballë Edi Ramës. kështu, do të vriste çdo mundësi opozitarizmi në Shqipëri duke marrë si vota për kandidatin që emëroi vetë edhe për Këshillin Bashkiak. Në këtë lojë të shpifur, Sali Berisha është një aktor protagonist që më shumë preferon që Partinë Demokratike t’ia dhuroj Metës se sa dikujt tjetër.

Prandaj, demokratët sot duhet të reagojnë dhe mos mbushin sheshet ku thërritet Ilir Metaj që nuk do vetëm se t’u vjedhë logon fshehurazi dhe më pas të përdorë edhe televizionin opozitar me komshinjtë e tij në lagjen speciale, për t’i gënjyer demokratët. Vota për kanidadatët e koalicionit të Sali Berishës nuk është vetëm një votë kundër SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar por është një votë kundër Partisë Demokratike.

Ilir Metaj, nuk ka qenë dhe as do jetë ndonjëherë një fans i Partisë Demokratike. Ai kurrë nuk ka punuar për të forcuar këtë parti politike, por ka përdorur hallexhiun e madh Sali Berisha për të fituar disa vota më shumë nga vullnetarët e tij. Por, demokratët nuk duhet të bien në rrenat dhe manipulimet e tij të vazhdueshme. Ata duhet të votojnë vetëm Partinë Demokratike dhe të mos e shpërndajnë votën e tyre për t’i dhënë pushtet të pamerituar Partisë së Lirisë dhe koalicionit të tyre që do të uzurpojë PD-në.

Kali i Trojës që ka futur në muret e brendshme Sali Berisha nuk dëshmon vetëm hallin e tij të madh por mbi të gjitha dëshmon krimin që ai po i bën partisë opozitare më të madhe në vend.

Latest articles

Related articles