Të rinjtë e famshëm të TikTok që shpërndanin kokainë në lokalet e natës në Durrës dhe Sukth janë lënë të gjithë në burg.
Ata dolën sot para Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë dhe për shtatë prej tyre gjykatësi vendosi masën ‘arrest me burg’, ndërkohë për 24-vjeçaren Kristel Balla gjykata ka vendosur masën ‘detyrim paraqitjeje’.
Të rinjtë, pjesë e dy grupeve kriminale, ranë në pranga pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Durrësit. Në burg janë lënë, Gentian Muça, Tani Muça, Amonali Halili, Alban Vela, Ergi Curri, Gentian Konesha dhe Stivens Bulku.
Të gjithë të rinjtë ishin mjaft aktivë në rrjetet sociale dhe ata promovonin jetën luksi e makina luksoze në TikTok e Instagram. Njëri prej tyre, Stivi Bulku ka marrë pjesë në serialin ‘Aventurierët’ dhe numëron gati 50 mijë ndjekës në Instagram. Ndërsa Kristel Balla ka rreth 5 mijë ndjekës në Tik Tok dhe 17 mijë ndjekës në Instagram.
Të gjithë dyshohet se furnizoheshin tek Gentian Muça, 48 vjeç, i dënuar më parë për trafik dhe që përdorte tre emra të tjerë për të humbur gjurmët, Gentjan Lici, Gentjan Muça, Gentjan Ferra.
Drogën që merrnin nga Muça ata e shpërndanin në lokalet e natës. Gjatë dy operacioneve policore u sekuestruan 1 pako kokainë, me peshë 130 gramë, 40 doza kokainë, 3 automjete, 2 prej tyre luksoze dhe 96 mijë lekë e disa shuma në euro, franga dhe paund.
Arrest me burg për
-Gentian Muça, 48 vjeç
-Tani Muça, 43 vjeç
-Amonali Halili, 24 vjeç
-Alban Vela, 17 vjeç
-Ergi Curri, 25 vjeç
-Gentian Konesha, 23 vjeç
-Stivens Bulku, 24 vjeç
Detyrim paraqitje
-Kristel Balla, 24 vjeç