Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump është kthyer në Florida fill pas seancës gjyqësore të 4 prillit në Manhattan.
Si pjesë e procedurës, ish-presidenti u vendos në paraburgim para nisjes së seancës, por 34 akuzat që rëndonin ndaj tij, nuk parashikonin mbajtjen e tij në burg. Për këtë arsye, Trump u lirua pas përfundimit të seancës dhe u kthye në Florida, nga ku deklaroi se krimi i tij i vetëm ishte mbrojtja pa frikë e kombit nga ata që do ta shkatërronin atë.
“Vendi ynë po shkon në ferr”, tha ai, duke renditur të gjitha mënyrat për të cilat ai pretendon se është persekutuar që nga fillimi i fushatës presidenciale në 2016.
Vetë ish-presidenti hodhi poshtë akuzat ndaj tij, teksa pretendoi pafajësinë, por nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë për mediat pas zhvillimit të seancës, e para e këtij lloji për një president të SHBA-së.
Akuzat për të cilat po hetohet ish-presidenti amerikan, janë të gjitha të klasit E, që i përkasin kategorisë më të ulët të veprave penale, dhe përfshin një dënim maksimal prej 4 vitesh burg.
Por, sipas ekspertëve ligjorë, nëse ish-presidenti do të dënohet, nuk do të arrestohet, por me shumë gjasa, ndaj tij do të vendoset një gjobë.
Sakaq, ekipi i Trump ka kohë që deri më 8 gusht për të paraqitur çdo mocion dhe prokuroria do të përgjigjet deri më 19 shtator.
Gjykatësi Juan Merchan bëri me dije të martën (4 prill) se ai do të vendosë mbi mocionet në seancën e ardhshme dëgjimore, të planifikuar për 4 dhjetor.
Akuzat për të cilat po hetohet Donald Trump:
Çështja e pagesës së yllit pornografik
Trump po hetohet për rolin e luajtur në një skemë pagese për yllin e filmit pornografik Stormy Daniel, gjatë zgjedhjeve të 2016-ës. Pagesa ndaj Daniel, dyshohet se nuk ishte regjistruar siç duhet në librat e tij.
Çështja e New York-ut
Hetimi i Nju Jorkut për pagesat e parave të heshtura është një nga disa rastet në vazhdim që mund të paraqesin probleme ligjore për Trump.
Kjo akuzë është konsideruar nga ekspertët si një nga rastet më pak të rëndësishme me të cilat përballet.
Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James ka paditur Trump dhe Organizatën Trump, duke pretenduar se kanë mashtruar bankat dhe autoritetet tatimore për vlerën e aseteve, duke përfshirë fusha golfi për të marrë kredi dhe përfitime tatimore.
Dokumentet e Mar-a-Lago
Mbajtja e dokumenteve sekrete qeveritare të Trump në shtëpinë e tij në Florida.
Hetuesit thanë në dosjet gjyqësore vitin e kaluar, se po shqyrtonin shkeljet e mundshme të statuteve të shumta të krimeve, duke përfshirë mbajtjen e qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Një ndihmës, u pa në video survejim duke lëvizur kutitë e dokumenteve në pronë.
Zgjedhjet e 2020 dhe trazirat e Kapitolit
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu përpjekjet e Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur zgjedhjet që ish-presidenti pretendoi se ishin vjedhur.
Hetuesit kanë lëshuar thirrje për një numër kryetarësh të Partisë Republikane të shtetit dhe kanë marrë në pyetje shumë zyrtarë të administratës Trump.
Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, dyshohet se nisën fushatën e presionit në përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Gjeorgjia
Ish-presidenti po hetohet edhe për thirrjen ndaj Sekretarit të Shtetit të Gjeorgjisë, Brad Raffensperger, kur ai i kërkoi atij të “gjente 11,780 vota”, në mënyrë që ish-presidenti të mund të kapërcente numërimin e votave të Joe Biden.
Pretendimet për përdhunim në 1990-ën
Në një çështje të veçantë civile në gjykatën federale në Nju Jork, Trump është akuzuar se ka përdhunuar një ish-kolumniste të revistës në një dhomë të veshjes në mesin e viteve 1990.
Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se ai nuk e ka takuar kurrë kolumnisten, E. Jean Carroll, dhe ka hedhur poshtë pretendimet e saj për përdhunim, duke thënë: “Fizikisht ajo nuk është tipi im”.
Gjatë një deponimi në tetor, ai e identifikoi gabimisht një fotografi të saj prej dekadash si një nga ish-gratë e tij.