Vizita e Gabriel Escobarit, kambanë për të korruptuarit

Nga: Klarenc Novaku, Vatran, SHBA

Unë jetoj në Florida të SHBA-ve dhe kam guvernator të shtetit Ron DeSantis, që, me shumë mundësi, do të garojë për president amerikan në zgjedhjet e nëntorit 2024. Me keqardhje shoh se si figura politike e ish-presidentit Trump po merr goditje. Gjasat janë që në vitin 2025, Ron DeSantis të jetë president. E mbështes si president dhe e votoj sepse ka dy qasje të mira, sipas meje. Ai dhe senatori amerikan Bob Mendez janë antikomunistë dhe antisovjetikë, dhe e dinë rrezikun e komunistëve të rinj dhe të vjetër. Po ashtu, ka ndjekur politika të mira ekonomike, që kanë sjellë shumë amerikanë të jetojnë në Florida, si dhe ka kundërshtuar “cancel culture” të marksistëve të rinj.
Kjo thënë për ne që jetojmë në Amerikë, sepse, kur flasim për Shqipërinë dhe intersat kombëtare të shqiptarëve duhet të jemi një zë. Këtu mund të votojmë majtas apo djathtas, por kur vjen puna te kombi shqiptar, aty jemi një. Një. Kemi interesa jetike të lidhura me Amerikën.
Si i djathtë, patriot dhe aktivist për kauzat tona kombëtare, kohët e fundit po i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe trevat tona. Kam ndihmuar shumë për sensibilizim në luftën e UÇK-së dhe sot shoh se pas marrëveshjes së Ohrit me ndërmjetësim amerikan, një udhë më e mirë çelet për ne.
Duke qenë se Shqipëria nuk kishte zë në këtë kapitull të ri ballkanik, mendoj se vizita e Escobarit është më shumë për çështje të brendshme politike në Tiranë.
Le t’i marrim me radhë se si po bien disa liderë të fortë në Ballkan. Të dielën iku nga pushteti një politikan veteran në Mal të Zi, Milo Gjukanoviç. Çmontimi i një pushteti aq të fortë është i vështirë. Ajo që më ra në sy është se, një javë përpara se të ndodhte ndryshimi në Mal të Zi, kryeministri në detyrë D. Abazoviç ishte në Amerikë, vizitë zyrtare. Po i lidh pak ngjarjet me njëra – tjetrën, sepse unë besoj se në politikë nuk ka rastësi, lëre pastaj në gjeopolitikë:
Një javë përpara se të vijë i dërguari special amerikan për Ballkanin Gabriel Escobari në Tiranë, Lulzim Basha ndodhej në Ëashington për takim me shefin për Ballkanin në Departament të Shtetit.
Vlen të kujtojmë se herën e fundit që Escobari ishte në Tiranë, vizitë një ditore, pamë se një politikan shumë i rëndësishëm shkoi në burg, Lefter Koka.
Sërish, përpara se të vijë Escobari, ambasada amerikane shkroi në Facebook se Drejtësia duhet të jetë e shpejtë dhe e vërtetë.
Një ditë më herët se kjo deklaratë, kreu i SPAK-ut, A. Dumani deklaroi gjatë takimit me gazetarët se kishte nën hetim shumë dosje, ndër të cilat për ish-ministrat e Edi Ramës, Ilir Beqaj dhe Arben Ahmetaj.
Për çudi, Sali Berisha reagon fort një ditë pas deklaratës së ambasadës dhe asaj të Dumanit, duke thënë se Dumani është komisari i Ramës. Mos është friksuar? Pse? Apo po mbron kënd?
G. Escobari do të qëndrojë dy ditë vizitë zyrtare në Tiranë. Kalibri i këtij diplomati është si ata “sherfiat” në wild west dikur, që dërgoheshin për të vendosur qetësi nëpër qyetet amerikane. Me ç’duket durimi amerikan dhe karrotat kanë mbaruar për klasën politike shqiptare.
Sa do të marrë me vete kësaj radhe Escobari dhe ç’sihariqe na sjell nga Washingtoni?

Latest articles

Related articles