Arben Ahmetaj ankohet në SPAK për sekuestrimin e pasurive

Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar masën e sekuestros që SPAK i vuri disa ditë mbi parë mbi dy pasuri të paluajtshme, (vila). Dy objektet janë në emër të ish-gruas dhe bashkëjetueses aktuale të Ahmetajt dhe janë sekuestruar nga SPAK pasi Ahmetaj është në hetim për shpërdorim detyre, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Në kërkesën e tij në GJKKO, ish-ministri e quan masën e sekuestros si të paligjshme.

Edhe në rastin e kontrolleve që BKH ushtroi në banesat e tij, Ahmetaj dhe partnerja ankimuan gjetjet, por GJKKO e rrëzoi kërkesën. Kreu i SPAK, Altin Dumani tha se Ahmetaj po hetohet dhe po gjurmohet pasuria e tij, pasi sipas tij, nga kontrolli në vila janë gjetur prova.

Më 8 mars 2023, oficerët e BKH kontrolluan banesën e Erjola Hoxhës, partneres së Ahmetajt në zonën e Gjirit të Lalzit si dhe sekuestruan telefonin e saj. Ahmetaj dhe Hoxha apeluan në GJKKO duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm. Mbrojtja pretendoi se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj. Ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi. Por ky fakt sipas tyre u anashkalua ndërsa më tej parashtruan se bashkëjetueses së ish-ministrit nuk iu garantua e drejta për të patur një person të besuar pranë para se të niste kontrolli, ndërsa edhe oficerët kanë bërë pyetje provokuese për sendet që kishin në banesë. Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për veprat penale: “Korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. SPAK ka sekuestruar disa vila që janë pronë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Latest articles

Related articles