Kokalari: Berisha e bën për fëmijët, se për atdhe nuk po e bën dhe pse na premtoi ndryshe, por ju që po shisni veten tuaj për hallet e tij

Nuk ka gjë më të shëmtuar se të lexosh disa demokratë që inkurajojnë ndjekësit e tyre të votojnë listën për këshillin bashkiak të LSI.
PD ESHTE E GJITHA NE ANGAZHIM TE PLOTE PER FUQIZIMIN E PARTISE SE ILIR METES!!
Nuk di çfarë prisni të ndodh mbas 14 Majit dhe nëse LSI fiton. Ju do jeni nën kontroll të plotë të logos së Ilir Metës! Nuk di gjithashtu se si flini të qetë, sidomos ju që mburreni se keni në parti që në 1990 kur partinë po ja u marrin nga brënda, m’u nën vështrimin tuaj. Njëriu ka pak dinjitet dhe nëse vërtet do e donit atë parti siç pretendonit, do e kishit refuzuar këtë lloj koalicioni & do kishit refuzuar të shkonit në zgjedhje me logon e një partie socialiste.
Personalisht më vjen pështirë që jam deshmimtare e shkatërrimit të atij institucioni që duhej të ishte një parti vërtet anti-komuniste dhe e djathtë.
Pa le kur thoni “ç’të bëjmë” kur në fakt kishit plot çfarë mund të bënit, duke filluar që nga largimi me dinjitet nga Partia dhe refuzimi i kthimit derisa Berisha të ftillohej dhe ta ndalonte këtë masakrim të PDsë. Momentalisht nuk po i bëni asnjë nder partisë. As Shqipërisë. Nder po i bëni dikujt që ju shiti në 2013, dhe tashti po ju blen nëpërmjet shfrytëzimit të halleve të Berishës. Mirë Berisha e bën për fëmijët, se për atdhe nuk po e bën dhe pse na premtoi ndryshe, por ju që po shisni veten tuaj për hallet e tij, çfarë jeni?
Kemi një shprehje këtej nga ne: “Më mashtro njëherë, turp për ty. Më mashtro dy herë, turp për mua.” E pra, ju po e lejoni mashtrimin e dytë me koshiencë të plotë. Bravo ju qoftë. Karakter të fortë shumë paskeni pas.
E me që jemi në temë, e keni menduar ndonjëherë pse ju ktheva kaq kundër Berishës, dhe mbi të gjitha kaq hapur? Pse mendoni e bëra këtë mbas gjithë atij mundi dhe mbështetje që i dhashë që në fillimet e foltores?
E bëra sepse kuptoj rrezikun që po i kanoset jo vetëm PDsë, por të gjithë Shqipërisë. Fuqizimi i LSI është po aq i rrezikshëm sa Edi Rama dhe PS vet. Në fakt ju viktimë e luftës së tyre jeni. Edhe inceneratorët luftë midis tyre është – dmth, luftë klanesh të cilës ne nuk i përkasim.
Pse i ra Edi Rama Arben Ahmetajt? Pse po i bie tashti Monika Kryemadhit? Pse LSI i bie gjithmon klanit të Zotos dhe ndonjëherë shumë tangent Ahmetaj dhe kaq? Po Topit kush i ra? Po vula pse i shkoi Alibeajt?
Sepse Rama nuk mund ta lërë Ilir Metën të fuqizohet nga PD e rithemelimit. Kuptoni? Kjo është luftë mes grupesh të qeverisë dhe të politikës, ku janë të përfshira dhe mediat. Ky është moçali i korrupsionit Shqiptarë.
Ju të PDsë, të përçarë siç jeni, po përdoreni nga të dy këta për të luftuar njëri-tjetrin, jo për të pastruar moçalin por për të fuqizuar veten e tyre në kurriz të shkatërrimit të PDsë.
Ju vështroni, heshtni dhe ndiqni si dele. Berisha në këtë proces do të mbarojë hallet e veta. Ju që kërkoni ndryshim, nga dëshpërimi apo nga budallallëku, po mbështesni njërin grup, pa marrë parasysh pasojat afatgjate që do të ketë në të ardhmen mbi të gjithë ne.
Qëllimi i PDsë së rithemeluar ishte pastrimi, vetforcimi dhe heqja e Ramës, jo të bëheshim mburojë e Ilir Metës në luftën që ky ka me Ramën. Qëllimi nuk është të fitohen betejat por lufta në tërësi. Ju jeni fokusuar tek 14 Maji se kështu ju thonë për t’ju ç’përqëndruar ndërkohë që LSI fut rrënjët mirë në parti, dhe harroni që po humbim luftën, ndoshta dhe për gjithmon.
Si përfunduam në këtë pikë?
Më morri një vit të kuptoja çfarë po ndodhte, dhe i ekspozova të gjitha ashtu siç po ndodhnin, siç jam e sigurt e dini të tërë. Tashti s’ka më dyshime për asgjë.
Personalisht pjesë e shkatërrimit të opozitës me vetëdije të plotë dhe fuqizimit të së majtës nuk do bëhem kurrë.
Ju qofshi si e bëni.

Latest articles

Related articles