Në zgjedhjet vendore të 14 Majit, Roland Bejko do të përballet, Belind Këlliçin, kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, përfaqësuesin e “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori si dhe kandidaten e PDIU-së Lajla Përnaska, për bashkinë e Tiranës.
I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Bejko foli për mënyrën dhe kushtet në të cilat u zgjodh si kandidat garues për bashkinë e Tiranës. Sipas tij, mbi PD-në ka një presion të jashtëzakonshëm dhe ai mund ta përballonte këtë lloj presioni.
“Në kushtet e emergjencës në të cilat u gjend PD, unë isha kandidati, që e njoh mirë pushtetin vendor, sepse jam ekspert për pushtetin vendor, jam sekretar i pushtetit vendor. Kam qenë drejtues i politikave të zhvillimit, dhe të decentralizimit në Ministrinë e Brendshme, për pushtetin vendor, kam qenë prefekt në Berat, dy vite. Isha dhe ekspert për rishikimin e reformes territoriale disa muaj më parë në Parlament. Kam bërë dhe projekte për bashkinë e Tiranës dhe jam gati-gati i përfshirë. Jam më gati nga të tjerët. Por, situata është e tillë që me këtë presion të madh që kanë, u mendua kjo që unë, të paktën në këto kushte që jam mund ta përballoja këtë presion, se mos ta harroni, është një presion i jashtëzakonshëm.”
Ndër të tjera, Bejko theksoi se e sheh veten si misionar dhe se është një ndër politikanët që nuk i ka përlyer duart me punë të pista.
“Unë i përkas asaj pjese të politikanëve dhe të shoqërisë shqiptare që nuk i ka përlyer duart në punë të pista. Kemi qenë kontributor në politikë. Kemi qenë me të, kemi ndihmuar, jo përfitues nga pushteti. Prandaj, e shikoj veten si një misionar”.