Ambasada e SHBA-së e OSBE dënojnë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel

Ambasada e SHBA në Tiranë dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel dhe i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës.

Përmes një deklarate për median ambasada nxit agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë.

“Ambasada e SHBA në Tiranë dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë,” thuhet në deklaratën e ambasadës.

Edhe OSBE ka dënuar sulmin.

“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik. Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë” thuhet në deklaratë.

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë drejt godinës së Top Channel rreth orës 01:00 të 27 marsit 2023. Plumbat i morën jetën rojës së televizionit, Pal Kola, 60 vjeç.

Një grup hetimor ka nisur punën për zbardhjen e motiveve por dhe arrestimin e autorëve. Sulmi u dënua nga autoritetet më të larta të vendit, media dhe gazetarë.

Latest articles

Related articles