Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit përmend rastin e Inceneratorëve

spot_img
Advertisements

Raporti i fundit i DASH që flet për të drejtat e njeriut i ka kushtuar një paragraf të veçantë situatës së korrupsionit në vend. Raporti i DASH flet qartësisht për rritjen e korrupsionit dhe vendos presionin mbi SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë për të zbatuar ligjin dhe vendosur sundimin e Ligjit.

Ndër të tjera ky raport evidenton edhe rastin e inceneratorëve që nisi të hetohet intensivisht pasi Partia Demokratike kërkoi dhe drejtoi Komisionin Hetimor të Inceneratorëve që zgjati për gjashtë muaj dhe shpalosi shkeljet ligjore dhe administrative që çuan në dhënien me koncesion dhe PPP të inceneratorëve.

“SPAK gjithashtu ka investiguar kontratat publike-private për inceneratorët në qytetin e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit që kanë çuar në mënyrë të padrejtë 29.036.925 lekë (271.5 mln USD) tek zyrtarë të qeverisë dhe kontraktorë. Investigimi ka çuar në arrest për ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka në Dhjetor 2021 dhe ish deputetin Alqi Bllako në Mars.”

Kjo është hera e parë që raporti i DASH i referohet aferës së inceneratorëve që u bë e bujshme vitin e shkuar. Ndërkohë që ambasadorja e SHBA Yuri Kim gjatë një interviste në vjeshtën e vitit të shkuar premtoi rezultate në lidhje me aferën e inceneratorëve. Javë më parë, ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj iu kontrolluan shtëpitë e ish bashkëshortes së tij dhe partneres aktuale (një vilë në Hamallaj). Ai është akuzuar nga opozita si person i lidhur me aferën e inceneratorëve ndërkohë që më herët një shkrim nga reporter.al ka zbardhur lidhjen e tij me Klodian Mërtirin (një nga përfituesit e kësaj afere).

Ndonëse raporti i DASH e ka përmendur këtë aferë duke i dhënë rëndësinë e duhur, Sali Berisha i shpallur nongrata nga SHBA e mbrojti ish zv/Kryeministrin Ahmetaj në daljen e tij të fundit publike.

Latest articles

Related articles