KOMENT | Koha për t’i thënë stop injorancës parlamentare!

Denis Dyrnjaja

Rrjeti po gëlon nga komentet, indinjata e deri te sarkazma e humori nga një gafë diturie që bëri deputeti socialist Toni Gogu i cili në një status të tij ngatërron Hajredin Pashën, një udhëheqës i ushtrisë turke që kishte ardhur me teborët e tij, për të shtypur kryengritjen shqiptare që kishte shpërthyer kundër reformave të Tanzimatit të ndërmarra nga “Porta e Lartë” në Stamboll në fillim vitet 1840.

Nuk e di çfarë shkruhet sot në librat e historisë, por Reforma e Tanzimatit dhe kryengritjet shqiptare kundër saj kanë gjetur hapësirë në librat e historisë në shkollat 8-vjeçare të dikurshme dhe sigurisht kjo shërbente që të mos ngatërronim heronjtë me pushtuesit.

Por kultura për historinë nuk merrej vetëm në shkollë, ajo shtrihej gjerësisht në poema, në këngë e radiodramtizime, që njerëzit të dinin dhe kishin kulturë të përgjithshme mbi ngjarjet historike dhe protagonistët e tyre.

Tekstet e rapsodëve të veriut kanë qenë epike për heroizmin e komandantëve e luftëtarëve shqiptarë në këngë me lahutë, çifteli apo sharki, vegla muzikore karakteristike të folklorit muzikor.

Betejave dhe kryengritjeve i bëhej jehonë për të mbajtur ndezur shpirtin patriotik. Ndërsa në jug polifonitë ishin kryevepra folklorike me heronjtë e atyre trevave. Më vjen ndërmend kënga e Çelo Mezanit apo vallja çame e kënduar e Osman Takës.

Isha fëmi kur im gjysh i dëgjonte në radio e m’i shpjegonte. Po kështu radiodramatizimet, duke veçuar ato me temë nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare për shkak indoktrinimi politik, pjesa tjetër ishte një kontribut i çmuar në mbajtjen gjallë të memories historike për qëndresën e popullit ndaj pushtuesve. Në këtë mënyrë fitohej një kulturë e përgjithshme për ngjarje e personazhe që kanë shënjuar historinë në trevat kudo ku shqiptarët kanë jetuar.

Me ndryshimet demokratike mesa duket të gjitha këto forma u panë si të pavlera dhe sot kemi mbërritur në pikën ku memoria historike kombëtare është zeruar dhe vendin e saj e zënë barbaria e pseudoartit vulgar për qëllime fame e përfitimi. Të kërkosh, të dish apo të flasësh për historinë e së shkuarës je demode në habitatin e sotëm. Dhe injoranca vjen masive nga poshtë deri lart në organet e shtetit dhe administraës.

Kjo erdhi pasi stafet e këshilltarëve me eksperiencë dhe dije shumë dimensionale, u zëvendësuan nga militantët e rinj që CV dijeje kanë thjeshtë devotshmërinë debatikase ndaj partisë dhe udhëheqësit të saj dhe kaq mjafton. Sigurisht këtu pastaj mbivendoset edhe elita politike që është edhe më e paditur se vetë çirakët e tyre të administratës dhe kështu puzzle i injorancës bëhet i plotë.

E kujtoni atë komisionin e ngritur para nisjes së vetingut në drejtësi që mori në pyetje ata që do të ishin në përbërje të komisioneve të posaçme të verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që duhej të vazhdonin detyrën?

Perparim Kabo, një profesor i nderuar, bëri pyetjet më të thjeshta e më bazike për kulturën e përgjithshme të një juristi për emra si Falcone apo di Pietro simbole të luftës kundër mafies dhe vendosjes së drejtësisë në Itali, apo praktikave politiko/legjislative për precedentë të shkarkimit të Kryeprokurorit të Republikës në Shqipëri dhe përgjigjet ishin mjerane nga prokurorët e gjykatësit e karrierës.

Ajka e drejtësisë ishte e paditur ndaj kulturës së përgjithshme dhe për më tepër justifikohej si fëmijë të shkollës fillore që iu shkon nga mosha edhe një gënjeshtër naive, ndërsa këta shfaqeshin më qesharakë nga justifikimi se nga padija.

I përmenda këto pasazhe për të thënë se gafa e deputetit socialist Toni Gogu, i cili ngatërroi pushtuesin me heroin, në rastin e këngës së Hajredin Pashës, është një shtysë e fortë që të vendoset me ligj, pra të jetë kusht i detyruar, që edhe nëse fiton mandatin e deputetit të kalosh në sitën e një testi të përgjithshëm kultural dhe ai që se kalon t’i hiqet e drejta e përfajësimit në Parlament.

Vetëm kështu do të shmangim ose zvogëlojmë mundësinë që në tempullin ligjbërës të ulen injorantët, sharlatanët dhe idiotët. Opozita tallet sot me Toni Gogun, por le të propozojë e ndërmarrë ajo një nismë për futjen në fuqi të këtij testi që mund të bëhet publik dhe me formë elektronike ndoshta, për të patur transparencë mbi nivelin kultural të çdo deputeti të zgjedhur që në zgjedhjet e vitit 2025.

Se nuk është se në krahun e saj po “derdhet” dija nga të katër anët. Kjo është t’i shërbesh vendit, t’i shërbesh të ardhmes të vendosësh standard në politikë e në përfaqësim. Koha e deputetëve të llojit “KËRPËRATA” duhet të marrë fund. Nëse kjo do të ndodhë do të shihni që do të ketë një klimë tjetër edhe debati dhe rezultati politik e vendimmarrës në Parlament. Keni kurajë e ndërgjegje, bëjeni!

Latest articles

Related articles