Vlora Hyseni, të cilën kryeministri Edi Rama e ka propozuar për të drejtuar Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), ka qenë numri dy i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Ish-zv.drejtoresha e shërbimit inteligjent të Kosovës, bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit rezulton të jetë thuajse milionere, – raportojnë mediat në Kosovë.
Gjithë pasurinë e saj e ka tashmë të deklaruar dhe thotë se e ka të trashëguar nga prindërit dhe gjyshi i saj.
Ajo posedon një shtëpi 400 metra katrorë, vlera e të cilës është rreth 100 mijë euro, por që e ka shkruar në formularin e deklarimit të pasurisë se është e prindërve.
Po ashtu, nga prindërit Hyseni ka katër hektarë tokë, vlera e të cilës është 200 mijë euro.
Tokë dhe pyll, të trashëguar nga gjyshi, ka deklaruar 20 hektarë e që vlera arrin mbi gjysmë milionë euro.
Vlora Hyseni ka një veturë, vlera e të cilës është 18 mijë euro e që, sipas saj, e ka blerë nga kursimet.
65 mijë euro ka para cash në dy banka të Kosovës.
Ajo është shkarkuar nga pozita që mbante në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Arsyet për shkarkimin e saj nuk bëhen të ditura.