Bardhi për kreun e ri të SHISH: Shqetësuese raportimet se Hyseni është shkarkuar për zbulim të informacioneve të klasifikuara

Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me propozimin e Ramës për drejtorin e ri të SHISH.

Në një postim në facebook, Bardhi thotë se eraportimet në media se Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara” janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni.

“Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni”.

Bardhi nënvizon se Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës.

“Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë”.

Deputeti demokrat thekson se Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës.

“SHISH nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”.

Latest articles

Related articles