Pse janë të rëndësishme të drejtat e pronësisë intelektuale (DPI) për inkurajimin e tregtisë ndërmjet Palëve të CEFTA-s?

 

Të drejtat e pronësisë intelektuale janë një koncept që e hasim shpesh por që ende duket abstrakt, sado që për të flitet shumë, ndërkohë që për kompanitë e vogla dhe të mesme duket pothuajse e pamundur të sigurohet mbrojtja që ofrohet prej këtyre të drejtave.

Ne e rrëzojmë këtë mit, duke shpjeguar cilat janë të drejtat e pronësisë intelektuale, pse ato janë të rëndësishme, dhe si planifikon CEFTA ta nxisë më tej tregtinë duke zbatuar kornizën për të drejtat e pronësisë intelektuale.

Cilat janë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe pse janë të rëndësishme për ekonominë?

Qëllimi kryesor i të drejtave të pronësisë intelektuale është mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të krijuesve dhe pronarëve të shpikjeve, dizajneve, punës kreative. Në këtë mënyrë, të drejtat e pronësisë intelektuale inkurajojnë zhvillimin dhe distribucionin e produkteve dhe shërbimeve të reja. Të drejtat e pronësisë intelektuale mbulojnë një fushë të gjerë; ato përfshijnë të drejtat e pronësisë industriale si patentat dhe markat tregtare, por edhe e drejta e autorit dhe të drejtat që lidhen me të dhe që i shohim në muzikë, film dhe fusha të tjera kreative. Të drejtat e pronësisë intelektuale mbrojnë edhe informacionet e pazbuluara që zakonisht njihen si sekrete dhe njohuri tregtare, duke siguruar konkurrencë të drejtë mes kompanive.

 

Mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale luan rol jetik për rritjen e ekonomive të sotme. Nga njëra anë, kjo ndihmon për promovimin e inovacionit, çka ua mundëson kompanive inovative që të rriten duke ua lejuar t’i diferencojnë produktet e tyre nga ato të konkurrentëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bizneset fillestare dhe NVM-të, duke qenë se mbrojtja e inovacioneve të tyre krijon kushte të barabarta që ua lejojnë të konkurrojnë me kompani shumë më të mëdha.

 

Nga mbrojtja që ofron pronësia intelektuale përfitojnë edhe konsumatorët dhe shoqëria në tërësi. Kjo ndihmon që konsumatorëve t’u ofrohen produkte dhe shërbime inovative, ndërsa konkurrenca që krijon ka gjithashtu prirjen t’i ulë çmimet. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është ndihma për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve nga produktet e falsifikuara dhe pirate që shpesh nuk i respektojnë standardet e sigurisë.

 

Cilat janë vështirësitë me të cilat ballafaqohen bizneset?

 

Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se në fushën e ligjeve dhe rregulloreve për pronësinë intelektuale, vitet e shkuara të gjitha Palët kanë kryer ndryshime në legjislacionin e tyre duke e harmonizuar në masë të madhe me dispozitat e Marrëveshjes së OBT-së mbi disa Aspekte Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (TRIPS) dhe Acquis të BE-së.

 

Megjithatë, ende hasen vështirësi në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Kompanitë dhe dhomat e tregtisë raportojnë se përballen me pengesat e mëposhtme:

  • Proces i shtrenjtë dhe i gjatë i regjistrimit individualisht për secilin treg dhe/ose në nivel të BE-së
  • Ende ekziston gjeo-diskriminimi
  • Sistemet juridike nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme, procese gjyqësore të shtrenjta dhe të gjata
  • Administratave doganore u mungon një rregullore e unifikuar për përcaktimin e të drejtave që rrjedhin nga prona intelektuale (d.m.th. për të kontrolluar nëse diçka është kopje apo origjinale).
  • Zyrat e PI-së që janë përgjegjëse për mbrojtjen e këtyre të drejtave nuk kanë mjaftueshëm shkëmbim praktike me Palët e tjera
  • Mungon harmonizimi, sistematizimi dhe sistemi elektronik i administratave doganore

 

Pse janë të rëndësishme të drejtat e pronësisë intelektuale për promovimin e tregtisë ndërmjet Palëve të CEFTA-s?

 

Në nivel Pale, kompania për pronësi intelektuale BERIN thekson se shtytësit e rritjes ekonomike janë globalizimi, mundësitë e lehtësuara për tregti në tregun botëror dhe rritja e rëndësisë ekonomike të pronësisë intelektuale. “Në drejtim të Prodhimit të Brendshëm Bruto, punësimit, tatimeve, të ardhurave dhe rëndësisë strategjike, sektorët që mbështeten në DPI përfaqësojnë një pjesë domethënëse të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim. DPI-të gjithashtu promovon investimet e huaja direkte (IHD) dhe transferimin e teknologjisë në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

 

Integrimi i tregjeve për mallra dhe shërbime do t’u mundësonte ekonomive të vogla të CEFTA-s të bëhen pjesë e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe rrjeteve të prodhimit, jo vetëm atyre rajonalë, çka do të ulte kostot për konsumatorët dhe do t’i bënte këto ekonomi më tërheqëse për investimet e huaja. Për më tepër, në aspektin rajonal, integrimi është parakusht për hyrjen në BE, i cili do të përgatiste hapjen e tregut rajonal të shërbimeve të këtyre ekonomive të CEFTA-s për të funksionuar brenda Tregut të Vetëm të BE-së. IHD-të në veçanti promovojnë dhe inkurajojnë inovacionin, u ofrojnë kompanive të mëdha dhe të vogla një sërë mjetesh që u ndihmojnë të arrijnë sukses dhe të sjellin përfitime për konsumatorët dhe shoqërinë përmes fluksit të vazhdueshëm të produkteve dhe shërbimeve inovative dhe konkurruese dhe zgjerimit të njohurive të përgjithshme të shoqërisë. Rezultati konsiston në një cikël të shkëmbimit dhe shfrytëzimit të njohurive të reja dhe të dobishme, nga të cilat në fund të fundit përfitojnë të gjithë në shoqëri.”

 

Çfarë nënkupton korniza e re e CEFTA-s në aspektin e të drejtave të pronësisë intelektuale?

 

Një nga synimet e parashtruara në seksionin për masat tregtare ndërsektoriale të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021-2024 është që deri në vitin 2023 të miratohet një kornizë e re për aspektet e lidhura me tregtinë të pronësisë intelektuale dhe të drejtat e lidhura me të.

 

Qëllimi i kornizës së re është të sigurohen rregullore të harmonizuara ose standarde minimale të mbrojtjes juridike në fusha të ndryshme të DPI-ve, si dhe të përmirësohen procedurat e zbatimit që sipas bizneseve kanë mangësi dhe nevojë për punë. Korniza e re do të marrë parasysh praktikat e BE-së dhe ato globale (TRIPS) dhe do të zhvillohet më tej duke përmirësuar koordinimin ndërmjet zyrave të PI-së.

 

Ekspertët e CEFTA-s tashmë janë dakorduar në nivel teknik për tekstin e Vendimit të Komitetit të Përbashkët, i cili synon t’i përmbahet nga afër zhvillimeve më të fundit legjislative të Bashkimit Evropian.

 

Vendimi i Komitetit të Përbashkët do të synojë të lehtësojë bashkëpunimin ndërmjet Palëve në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale përmes:

 

  • Harmonizimit të standardeve minimale për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale ndërmjet Palëve me synimin për t’i hequr barrierat tregtare në lidhje me të drejtat e pronësisë intelektuale;
  • Promovimit të inovacionit teknologjik, transferimit dhe shpërndarjes së teknologjive ndërmjet Palëve; dhe
  • Promovimit të mbrojtjes dhe zbatimit efektiv dhe adekuat të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale duke siguruar që vetë zbatimi i masave dhe procedurave të zbatimit të mos kthehet në barrierë për tregtinë.

 

Standardet minimale të harmonizuara përfshijnë parimin e mosdiskriminimit ndërmjet Palëve të CEFTA-s, në mënyrë që mbrojtja që u ofrohet individëve ose bizneseve në njërën Palë të CEFTA-s t’u ofrohet edhe individëve ose bizneseve të Palëve të tjera të CEFTA-s. Kjo vlen edhe në rast të ndonjë trajtimi të favorshëm që i ofrohet ndonjërës prej Palëve të CEFTA-s, si dhe shtrihet edhe për individët ose bizneset e Palëve të tjera të CEFTA-s.

 

Vendimi gjithashtu prezanton një regjim të harmonizuar shterimi për markat tregtare dhe dizajnet ndërmjet palëve të CEFTA-s, me qëllim lehtësimin e tregtisë së lirë. Nëse mallrat ose shërbimet vendosen ligjërisht në tregun e cilësdo Palë të CEFTA-s, mbrojtja e markës tregtare ose dizajnit të tyre konsiderohet e shteruar dhe mallrat ose shërbimet mund të tregtohen ndërmjet individëve ose bizneseve nga Palët e CEFTA-s pa u kërkuar mbrojtje juridike. Kjo e shton konkurrencën. Për më tepër, Vendimi fokusohet fuqishëm në promovimin e inovacionit teknologjik dhe transferimin e njohurive ndërmjet Palëve të CEFTA-s, duke ofruar rregulla të harmonizuara për informacionin e pazbuluar, veçanërisht në lidhje me kompensimin e dëmeve, në përputhje me Acquis të BE-së.  Gjithashtu, do të formohet një organ i ri i CEFTA-s, Nën-Komisioni për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale, i cili do ta përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve përgjegjëse brenda Palëve.

 

Në praktikë, Vendimi do të mundësojë koordinimin ndërmjet Palëve për krijimin e një qasjeje të unifikuar për mbrojtjen dhe zbatimin e DPI-ve. Si produkt i këtij koordinimi, së shpejti do të kemi shkëmbim në kohë reale të informacionit relevant për zbatimin e masave doganore, zbatimin e mjeteve online dhe dixhitalizimin e dosjeve në lidhje me të drejtat e pronësisë intelektuale, aktivitete ndërgjegjësuese dhe ngritjen e zyrave të ndihmës për pronësinë intelektuale dhe pikave të fokusit për angazhimin e NVM-ve në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të tyre të pronësisë intelektuale përmes aktiviteteve të edukimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me organet e Bashkimit Evropian, në veçanti Zyrën e Bashkimit Evropian për Pronësi Intelektuale.

 

Korniza e re e CEFTA-s është element i vogël por i rëndësishëm i Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal që kontribuon në forcimin e integrimit të të drejtave të PI-së si pjesë e tregut të përbashkët, duke lehtësuar tregtinë në mallra dhe shërbime brenda CEFTA-s dhe tregtinë me Bashkimin Evropian për një ekonomi më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Latest articles

Related articles