Forcat ruse vijojnë përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin e qytetit të Bakhmutit në Ukrainën lindore ndërsa Kievi duket i vendosur për të mbrojtur qytetin. Sipas zyrtarëve ukrainas, gjatë 24 orëve të fundit më shumë se 1000 ushtarë rusë kanë humbur jetën në betejën e përgjakshme për qytetin.
Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskiy, u shpreh se mbrojtja e Bakhmutit është e nevojshme për të fituar kohë, për të ndërtuar rezerva, dhe për të nisur një kundërofensivë.
Ndërsa Moska nuk specifikoi numrin e viktimave në Bakhmut. Qyteti lindor i rajonit të Donetskut tashmë pothuajse i shkretë, ka qenë vendi i një prej betejave më të përgjakshme dhe më të gjata të luftës një vjeçare.
Kapja e qytetit të Bakhmutit do të ishte një hap drejt pushtimit të gjithë rajonit industrial të Donbasit. Më herët sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi se qyteti i shkatërruar ukrainas mund të bjerë në duart e rusëve në ditët në vijim për shkak të luftimeve intensive. Ekspertët perëndimorë thonë se qyteti ka më shumë rëndësi simbolike për Moskën sesa strategjike.