Partia Demokratike përkujton këtë të shtunë 60 vjetorin e lindjes të liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, lëvizje që solli dhe rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.
Në përkujtim të veprës së “Heroit të Demokracisë” ka reaguar dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bislim Ahmetaj, ish-drejtues i forumit politik “Grupimi Dhjetori ’90-të”, dhe Sekretar për të Drejtat e Njeriut në PD, Bislim Ahmetaj.
“Vargu “Azem, flamur ti s’vdes kurrë “ i gjetur mjeshtërisht nga njëra prej penave të arta të poezizë shqipe, poetit dhe shqiptarit të shquar Gjok Beci, i vënë në gojën e këngëtarit po kaq të shquar të muzikës popullore artistit Esat Ruka, u bënë pronë e shpirtrave të lirë të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë në vitet 1998-2000. Kënga “Azem, Azem ti je gjallë” ka buçitur dhe ka mbajtur vërtet gjallë institucionin e protestës qytetare në vitet e zymta që pllakosën vendin, pas vrasjes politike të Princit të Mendjeve të Lira, deputetit demokrat Azem Hajdari. Ajo thirrje lapidare është shqiptuar miliona herë në çdo cep të Shqipërisë nga Saranda në Tropojë . Këngët e Esat Rukës dhe tenorit të famshëm Hysen Koçia u shndërruan në manifest të qëndresës, kultivuan këmbënguljen, guximin, kurajon dhe revoltën qytetare, lindën shpresën që pushteti i dhunës dhe i vrasjeve politike s’mund të instalohej për shumë kohë në Shqipëri. Popullariteti që krijuan këngët për Azem Hajdarin ngjallën frikë në kupolën qeverisëse. Ata shkuan deri aty sa ish-Ministri i Kulturës, tani kryetar i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama të urdhëronte, sigurisht i urdhëruar në atë kohë prej shefit të tij, zotit Nano, maspranimin në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës të një kënge polifonike që grupi folklorik i Lazaratit ia kushtonte Liderit të Lëvizjes Studentore. Pothuajse të gjitha bashkitë e mëdha të vendit e shpallën unanimisht “Qytetarë Nderi” njëriun që me karizmën, kurajon dhe guximin që e karakterizonte po frymëzonte njerëzit e lirë njëlloj si në të gjallë.