E ardhmja e fëmijëve në rrezik nga rrjetet sociale. Koha për zgjimin e prindërve shqiptarë!

Luiza Pinderi

Armela është nënë e dy djemve të mitur, 12 dhe 15 vjeç, të dy përdorues të aparateve celularë dhe rrjeteve sociale. Që pas pandemisë përdorimi i telefonave u ‘legjitimua’ prej tyre dhe u bë domosdoshmëri për shkak të zhvillimit të mësimit online. Armela dhe burri i saj shumicën e ditës janë në punë dhe pak kohë iu mbetet për të kuptuar se çfarë ‘konsumojnë’ djemtë e tyre në internet. “Thonë se luajnë lojëra dhe shpesh i dëgjoj që grinden për këtë gjë”, shprehet ajo, e cila ka lënë çdo gjë në mirëbesim dhe nuk ka tentuar t’i kontrollojë.

Telefonat dhe kompjuterat kanë shkuar përtej të qenit një mjet pune, edukimi apo argëtimi, janë kthyer në një ‘kurth’ për të miturit, të cilët bien pre e bullizimit, fyerjeve, apo e argëtimeve për të rritur. Kjo edhe për shkak të rrjeteve sociale, të cilët nuk kanë filtër dhe me një klik çdo fëmijë mund të lëvizë në dhomat më të errëta të botës online. Pakujdesia e prindërve është vetëm një anë e medaljes, e herë të tjera janë vetë ata që ekspozojnë fëmijët e tyre, nëpërmjet fotove dhe videove, herë për argëtim dhe njëfarë mburrjeje prindërore, e herë të tjera ekspozimi i fëmijëve është kthyer në biznes nga prindërit që punojnë si infuencer. Raste të tilla janë të shumta nëpër botë, nuk mungojnë as Shqipëri, por ne ende nuk e kemi ndjeshmërinë për ta kthyer këtë në një temë emergjente që kërkon veprim të menjëhershëm.

Psikologu Arjet Pervizi thotë se problematikat me të cilat përballen fëmijët dhe adoleshentët janë të ndryshme, nga përjetimi i eksperiencave të bulizmit, përballja me një gjuhë urrejtje të pakontrolluar, përballja me imazhe të shumta sekuale të pakontrolluara, përballja me stile jetese të cilat shkojnë shumë larg nga realiteti ku ata bëjnë pjesë, e shumë problematika të tjera akoma edhe më serioze.

“Nuk janë të pakta rastet kur të rinjtë, edhe fëmijët po ashtu, sfidojnë njëri-tjetrin në internet dhe veçanërisht në rrjetin social TikTok, madje dhe duke rrezikuar jetën. Një rast i tillë ndodhi një vit më parë në Shkodër, ku një 11-vjeçar humbi jetën në përpjekje për të realizuar një sfidë në TikTok”, shprehet ai.

Sipas raportit vjetor të Platformës Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, një shërbim kombëtar i ngritur nga CRCA/ECPAT, gjatë vitit 2022 ka pasur një rritje të konsiderueshme të gjuhës së urrejtjes dhe bullizmit online ndaj fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.

Mesatarisht çdo dy ditë një fëmijë/ adoleshent/ i rritur ka raporuar internet të pasigurt në Shqipëri. 47 % e raportimeve janë nga bërë nga djemtë krahasuar me 43% e raportimeve të kryer nga vajzat. Po sipas gjetjeve të raportit, fëmijët dhe të rinjtë kanë raportuar se incidentet më të mëdha online kanë ndodhur në platformën online TikTok dhe Instagram.

Rrjetet sociale ndikojnë edhe në formimin e personalitetit të fëmijëve dhe të rinjve, dhe në mënyrën sesi ata e perceptojnë realitetin, suksesin, të ardhmen. Sipas psikologut, ky virtualitet që ekspozohet shpesh shkon përtej përditshmërisë së atyre që e shikojnë.

“Në rrjetet sociale promovohet jetesa e shtrenjtë dhe e luksit, adrenalina e shfrenuar, jeta e lirë dhe pa kufij, agresiviteti i cili shpërblehet, etj. Të rinjtë shikojnë këto modele dhe i kthejnë në objektiva të cilët kërkojnë t’i arrijnë sa më shpejt me rrugë ilegale si psh. pasurimi i shpejtë, lëndët narkotike, përfshirja në grupe kriminale etj”, shprehet ai më tej.

Ndërgjegjësimi i prindërve nëpërmjet nismave ligjorë

Bashkimi Europian e ka ngritur këtë problem që në vitin 2018 dhe një statistikë e atëhershme në Angli nga Raporti i Komisionerit të Fëmijëve vlerësonte se “një fëmijë mesatarisht shfaqet në 1300 fotografi të postuara në internet para moshës 13-vjeçare, qoftë në llogaritë e tyre, të prindërve apo anëtarëve të familjes”. Problematikat në internet janë përfolur para 5 vitesh, por vetëm në fillim të muajit mars, Franca ka hedhur një hap të rëndësishëm, duke miratuar dy projektligje në Asamblenë Kombëtare. Amendamenti i parë ka të bëjë me detyrimin që rrjetet sociale të verifikojnë marrëveshjen e prindërve për regjistrimin e të rinjve nën 15 vjeç. Prindërit nuk mund të japin pëlqimin e tyre për fëmijët nën këtë moshë, përveç “platformave të etiketuara” nga shteti, që do të thotë se fëmijët thjesht nuk do të kenë akses në rrjetet sociale.

Po ashtu, Franca miratoi edhe një projektligj të dytë i cili fut konceptin e ‘jetës private’ të fëmijëve dhe që synon mbrojtjen më të mirë të të drejtave të imazhit të tyre përballë teprimeve të prindërve që i ekspozojnë vazhdimisht. Më tej saktësohet se e drejta e figurës së të miturit ushtrohet bashkërisht nga të dy prindërit duke marrë parasysh mendimin e fëmijës. Nëse ka mosmarrëveshje midis prindërve, teksti parashikon që gjyqtari mund të ndalojë njërin prej tyre “të publikojë ose të shpërndajë ndonjë përmbajtje pa autorizimin e tjetrit”. Në rastet e rënda të cenimit të dinjitetit, teksti i hap rrugën “delegimit të detyruar të autoritetit prindëror”, duke i dhënë mundësinë një gjyqtari t’ia besojë ushtrimin e të drejtës së figurës së fëmijës një të treti.

Shqipëria ndodhet larg këtyre inicativave, por jo larg virtualitetit që prek këdo anekënd botës. Drejtuesi i CRCA/ECPAT Albania, Altin Hazizaj thotë se bota e internetit po bëhet e rrezikshme dhe duhen urgjentisht politika të reja.

“Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë për të ofruar më shumë siguri dhe mbrojtje për çdo fëmijë dhe të ri që përdor internetin. Nga të dhënat që kemi mbledhur nga iSIGURT për shtatë vitet e fundit, ne besojmë se bota online po bëhet më e rrezikshme dhe më shfrytëzuese për fëmijët. Është urgjente që të fillojmë të zhvillojmë ligje dhe politika të reja, për të adresuar të gjitha këto mangësi, së bashku me industrinë”, shprehet ai.

Për psikologun Arjet Pervizi prindërit duhet të bëjnë një punë më të mirë dhe të ushtrojnë më tepër kontroll.

“Zgjidhja më efektive dhe me e shpejtë, e cila duhet ndërmerret nga prindërit edhe nëse nuk arrihet të vendoset një projektligj është vendosja e rregullit të përdorimit të telefonit apo rrjeteve sociale nga fëmijët dhe të rinjtë. Nevojitet t’iu kujtojmë prindërve se janë ata të cilët duhet të diktojnë rregullat për fëmijët dhe se vetë fëmijët e kanë të pamundur të perceptojnë se çfarë është më e mirë për ta”.

Latest articles

Related articles