LEZHË- Policia e Lezhës ka vënë në prag tre persona dhe tre të tjerë ka proceduar në gjendje të lirë. Ata dyshohet e janë autorë të përfshirë në gjashtë raste vjedhjesh në qytet dhe në zonën e Shëngjinit.
Këtë persona kanë thyer xhamat e një makinë në Shëngjin duke vjedhur sendet që kishte brenda saj. Por ky rast nuk ka qenë i izoluar. Disa ditë më vonë kanë vjedhur po ashtu pajisjet e disa lokaleve në qytet.
Njoftimi i Policisë:
Arrestohen 3 shtetas dhe procedohen penalisht 4 të tjerë, të implikuar direkt apo indirekt në kryerjen e këtyre vjedhjeve, si dhe me precedentë të mëparshëm në të njëjtën fushë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shëngjini” kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e 6 vjedhjeve të ndodhura në Shëngjin dhe në Lezhë.
Për këto raste, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: M. P., 21 vjeç, E. M., 35 vjeç dhe E. A. (D.), 36 vjeç, të tre banues në Shëngjin, me precedentë të mëparshëm po për vjedhje. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. V., 50 vjeç, banues në Shkodër, A. D., 41 vjeç, banues në Tiranë, B. T., 59 vjeç banues në Tiranë dhe R. B., 34 vjeç, banues në Shëngjin.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Shëngjini” rezultoi se 3 shtetasit e arrestuar, më datë 5 mars, pasi kanë thyer xhamin e një automjeti në Lezhë, kanë vjedhur sendet personale që ndodheshin në të, si dhe se më datat 8 dhe 9 mars, po këta shtetas kanë vjedhur pajisje në 4 lokale të ndryshme dhe në një banesë, në Shëngjin.
Në vijim, gjithashtu rezultoi se 4 shtetasit e proceduar penalisht, duke patur dijeni për veprimtarinë kriminale të shtetasve të arrestuar, nuk kallëzonin, si dhe përfitonin sendet e vjedhura. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së këtyre vjedhjeve, si dhe pajisje të ndryshme të dyshuara të vjedhura që janë gjetur si rezultat i kontrolleve në banesat e 4 shtetasve të proceduar.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.