Deklarata skandaloze e Ilirjan Celibashit

Ervis Iljazaj

Deklarata e sotshme e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, zotit Ilirjan Celibashi, se për të Kryetar i Partisë Demokratike është Sali Berisha, por se ligji njeh Lulzim Bashën si kryetar, është një deklaratë flagrante, absurde dhe në kufijtë e shkeljes së ligjit.

Nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë që personi që drejton KQZ-në të bëjë deklarata politike të tilla në rolin e një analisti politik dhe jo sikurse duhet të jetë në rolin e një personi që duhet të zbatojë vetëm ligjin dhe vendimet e gjykatave. Nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë që institucionit të cilit shteti i ka besuar menaxhimin e garës politike sipas ligjit dhe Kushtetutës të vërë në diskutim vendimet e gjykatave dhe të shprehë opinione politike personale.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve me deklaratën e sotme ka kryer një precedent të rrezikshëm në menaxhimin e garës politike. Nuk ka dyshim se KQZ është institucioni më i përfolur dhe më i diskutueshëm gjatë tranzicionit shqiptar, duke qene se menaxhimi i zgjedhjeve ka qene gjithmonë problematik dhe konfliktual. Nuk ishte e nevojshme që këtij mosbesimi të përgjithshëm t’i shtohej dhe deklarata politike e drejtuesit të atij institucioni, duke e bërë atë edhe më të pabesueshëm akoma.

Deklarata e Celibashit, jo vetëm që ishte skandaloze në aspektin etik dhe ligjor, por ndër të tjera, është dhe një deklaratë e pamoralshme dhe kontradiktore. Zoti Celibashi nuk duhet të veprojë kundër ndërgjegjes së vetë. Nëse vërtetë mendon se Sali Berisha është Kryetar i Partisë Demokratike, ose të ketë karakterin dhe ta regjistrojë si të tillë, ose në të kundërtën deklarata të tilla nuk janë gjë tjetër veçse diversione politike të sponsorizuara. Ka dhe një opsion tjetër. Kur një drejtues detyrohet të veprojë kundër bindjes së tij, atëherë ai duhet të japë dorëheqjen. Sepse deklarata të tilla politike, nga drejtuesi i një institucioni që thjesht duhet të zbatojë ligjin, nuk bëhen në asnjë vend tjetër të botës.

Siç është bërë zakon në Shqipëri, shpesh herë mendohet se të drejtat i japin njerëzit dhe jo ligji. Ky është problem më i madh i funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve tona. Ndërkohë që institucionet e shtetit duhet të jenë neutrale, të ftohta dhe të zbatojnë vetëm ligjin, me këtë deklaratë, Ilrjan Celibashi ka bërë njësh personin dhe institucionin, ligjit i ka veshur ngjyrime personale dhe politike. Për këtë arsye ndodh gjithmonë që institucionet shqiptare në vend që ti japin zgjidhje krizave politike, futen dhe ato në krizë si pasojë e bindjeve personale të atyre që i drejtojnë sa herë që politika është në krizë.

Kjo është sëmundja më e madhe e tranzicionit shqiptar. Partitokracia që ka hedhur rrënjët në organet kushtetuese të shteti shqiptar, ose thënë ndryshe, politizimi i shtetit.

Me këtë deklaratë , ata që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike, kanë të gjithë të drejtën të besojnë se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është në konflikt interesi, dhe si pasojë do të jenë të disavantazhuar në këtë garë politike, duke qene se drejtuesi i KQZ-së mendon se një tjetër person është kryetar i saj. Nuk kuptohet nëse kjo deklaratë është e qëllimtë apo një shkarje e momentit. Por fakt është se ajo nuk e ndihmon as shtetin ligjor dhe as garën politike në Shqipëri. Aq me tepër kur bëhet nga një person që ka si detyrë t’i mbrojë ato.

Latest articles

Related articles